Tiranë | Topalli: prioritet është axhenda e mbrojtjes inteligjente

alt

Angazhohemi të punojmë së bashku në mënyrë efektive për sigurinë, për paqen dhe lirinë, në një botë për një të ardhme më të sigurtë”, theksoi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në çelje të konferencës “Mbrojtje e Zgjuar-Bashkëpunimi dhe koordinimi rajonal mes vendeve të Evropës Juglindore, grumbullimi dhe ndarja e aseteve të mbrojtjes”. Në fjalën e saj ajo garantoi se duke u angazhuar në sfidat e shekullit të 21, prioritet është axhenda e mbrojtjes inteligjente. “Ne kemi për detyrë të votojmë resurset, por dhe t’i shpjegojmë të gjitha vendime tona publikut, brenda vendit e më tej. Mbrojtja inteligjente do të jetë në axhendën e Samitit të Çikagos dhe jam e sigurt se dhe këtu në Tiranë të gjithë bashkë do ta adresojmë me përgjegjësi këtë axhendë”, u shpreh kryeparlamentarja. Sipas saj, në kohën e krizës globale buxhetet e mbrojtjes nuk kanë qenë imune dhe në kohë të tilla ne kemi nevojë dhe më shumë për njëri-tjetrin. “Ne së bashku kemi të njëjtat qëllime, ku NATO së pari është instrumenti i ruajtjes së sigurisë, por dhe i vlerave tona. Ishte ky qëllimi i krijimit të saj dhe mbetet dhe sot i njëjti qëllim. Aleanca e Atlantikut është më shumë se komuniteti i disa kombeve; është i vetmi komunitet që luan një rol kyç në garantimin e paqes në zonën euroatlantike, për 60 vite rresht”, tha ajo. Topalli theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të investojë në këtë komunitet në terma militare, ekonomikë e politikë dhe kjo, sipas saj, duhet të bëhet në një mënyrë më të zgjuar.