Tiranë | Nano konfirmon kandidaturën për postin e presidentit

alt

I ftuar në një emision televiziv, Nano tha se, “nuk jam kandidati më i rëndësishëm për Shqipërinë në 2012, vetë Shqipëria është kandidate shumë e rëndësishme për të fituar statusin e merituar për BE, me procesin e zgjedhjes së Presidentit”. “Ka gjithmonë një kohë për të folur, një kohë për të dëgjuar duke heshtur ose duke folur nëpërmjet heshtjes. Të gjithë kemi nevojë për reflektim për tu menduar, përpara se të udhëheqim konflikte me emocione të tepruara”, tha Nano, duke sqaruar pozicionin e tij në skenën politike gjatë viteve të fundit. Nano tha se, “si politikan dhe qytetar i përgjegjshëm, ka bërë një ofertë dhe ka ofruar dijet, eksperiencën, aftësitë dhe kapacitetet për të shërbyer që marrëdhëniet mes politikës dhe institucioneve të jenë më progresive dhe nxitëse, për të kryer detyrat e tyre ndaj qytetarëve”. “Unë jam këtu për të komunikuar hapur si për konceptin, frymën dhe vizionin me të cilin e bëj këtë ofertë, ashtu edhe për të gjitha veprimet që duhen ndërmarrë”, tha ai. Sipas tij “ajo që është shumë e dobishme dhe shpesh e mangët në mjedisin politik shqiptar, është zgjerimi i hapësirës për dialog dhe negocim”. Duke pranuar se do të dialogojë me të gjitha palët e politikës për mbështetjen e kandidaturës së tij, Nano tha se “në raport me pamjen tradicionale të garave elektorale dhe fushatave që jemi mësuar në të kaluarën, meqënëse publiku më njeh si figurë, këtë herë kam preferuar të negocioj dhe të paraqes nga afër për faktorët politik relevant, konceptin, vizionin dhe platformën me të cilin dua të shërbejë”. “Dua të krijoj në këtë mënyrë një proces që do ti shërbente vendit, një proces besimi mes politikës dhe institucioneve, veçanërisht në atmosferën simbolike të 100 vjetorit të shtetit tonë, por sidomos në pragun e marrjes së statusit kandidat në BE”, tha ai. Nano tha se “vendit i duhet një proces sa më transparent, mundësisht sa më konsensual”. “Unë do të takojë njëri pas tjetri, të gjithë drejtuesit e partive të pranishme në Kuvend: kryeministrin Sali Berisha, kryetarin e opozitës, Edi Rama, Kryetarin e LSI-së Ilir Meta, Kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, Kryetarin e PDIU Shpëtim Idrizi dhe kryetarin e PBDNJ-së, Vangjel Dule”. Duke u ndalur te marrëdhëniet e tij me Partinë Socialiste, Nano tha se “marrëdhëniet me partinë së cilës i kam shërbyer nga themelimi për 15 vjet rresht, nga e cila kam dal dhe nuk mund ta mohoj identitetin tim si i majtë dhe themelues dhe drejtues i forcës kryesore të së majtës demokratike, nuk mund të ngushtohen apo të vlerësohen me intervista”.