Gjatë ceremonisë së fillimit të punimeve për trasenë e rrugës së autostradës Tiranë- Elbasan, në hyrjen e Tunelit nga ana e Tiranës, kryeministri u shpreh se ky inaugurim bëhet në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë “Kjo rrugë, që së bashku me tunelin do ketë gjatësi 31 km, bën të mundur një lëvizje me 120 km/h, duke kursyer kështu të gjithë atyre që vijnë nga Shqipëria qendrore, juglindore, por edhe udhëtarëve nga Shkupi, Struga, Tetova, së paku 50 minuta, ndërsa transportit të rëndë mbi 1.5 orë udhëtim. Kjo përbën veprën tjetër madhore në projektin e infrastrukturës për të bërë Shqipërinë vend i zhvilluar. Ne jemi të vendosur që këtë projekt ta finalizojmë brenda mandatit 2013-2017”, tha Berisha. Sipas tij, Shqipëria, vend i zhvilluar, nënkupton një vend me infrastrukturë moderne në çdo skaj, në çdo cep, në çdo vend të saj, si kusht i të gjitha kushteve për të shndërruar në vlera për qytetarët shqiptarë pasuritë e mëdha përrallore që ka vendi në energji, turizëm, biodiversitet, miniera. “Ky është njëri ndër vendet më të pasura në rajon e Evropë. Qeveria është e angazhuar që brenda këtij viti të nisë ndërtimin e tunelit të Qafë Murrizit, në mënyrë që rruga e fluksit të përjetshëm të shqiptarëve, të përfundojë në kohën më të shkurtër”, theksoi Berisha, duke shtuar se ky është segementi më nevralgjik, më i rëndësishëm i të gjithë infrastrukturës së Shqipërisë. “Kjo rrugë bashkon Elbasanin me Tiranën dhe krijon një nga linjat rrugore më të mëdha në rajonin tonë. Kjo rrugë afron me kryeqytetin një nga zonat më prodhuese të Shqpërisë, siç është Korça. Shkurton me një orë distancën mes Tiranës dhe Shkupit. Javën që vjen do të inaugurojmë fillimet e punimeve në të gjitha segmentet e rrugës dhe vazhdimet e saj drejt Korçës, Qukës, Qafë-Plloçë, duke bërë që Korça dhe e tërë Shqipëria Juglindore ta kapë Tiranën në një kohë 70% më të shkurtër sesa përpara ndërtimit të kësaj rruge”, theksoi Berisha. Kryeministri Berisha theksoi se tuneli i kësaj rruge do të kujtohet si tuneli i 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Sipas Kryeministrit, kjo rrugë është dëshmi e forcës ekonomike të këtij vendi. “Ky tunel do të mbahet mend në shekuj dhe mijëvjeçarë si tuneli i 100-vjetorit të pavarësisë. Vazhdimi i ndërtimit të autostradës Tiranë-Elbasan dhe Elbasan-Korçë është dëshmi i performancës ekonomike të Shqipërisë, e forcës ekonomike të këtij vendi dhe është përgënjeshtrimi i lotëve të krokodilit që kollagjerët e zhvillimit derdhin çdo ditë”, theksoi Berisha. Kryeministri Berisha ftoi opozitën të vizitojë rrugën si një akt pendese për energjitë negative që i kanë atribuar kësa rruge. “Ftoj opozitën në një vizitë kolektive, si një akt pendese, sepse pendesa është tipar i njeriut të qytetëruar. Ftoj të vijnë ta vizitojnë për ta kuptuar se çfarë energjie negative krijuan në Parlament kur votohej buxheti për këtë autostradë. Të gabosh është njerëzore, por të mos korrigjohesh është marrëzi, prandaj uroj dhe shpresoj që të pendohen për veprimin e tyre”, tha Berisha. Kryeministri shtoi më tej se “kjo është pranvera e qindra e qindra projekte, rrugëve, urave, kanalizimeve, spitaleve, shkollave, ujësjellësave, që do të fillojnë në të katër anët e vendit, është pranvera në të cilën nis ndërtimi i mbi 1300 km rrugë kombëtare, rurale, dytësore, etj. Është pranvera kur do të finalizohet ndërtimi i impianteve të përpunimit të ujrave të zeza në qytetet kryesore të vendit”.