Tiranë | Topalli: kemi krijuar kushte që investimet e huaja të shndërrohen në histori suksesi

alt

Ky grup deputetësh ishte i kryesuar nga Muhammad Hidayat Nur Uahid, Kryetar i Këshillit të Bashkëpunimit Ndërparlamentar, Komisioni Parlamentar për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë. Topalli e cilësoi këtë vizitë si një etapë të re në marrëdhëniet midis dy vendeve, jo vetëm në aspektin e shkëmbimeve parlamentare por edhe në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat. “Ne shprehim kënaqësinë për këtë vizitë dhe gjithashtu jemi të nderuar për të shkëmbyer eksperiencat tona dhe të shtrojmë urën e bashkëpunimit midis dy parlamenteve dhe dy vendeve. Ne vlerësojmë si një faktor të rëndësishëm rolin e Shqipërisë për stabilitetin në Ballkan e më gjerë”, u shprehën anëtarët e delegacionit parlamentar indonezian. Në vijim nga ana e tyre u vlerësua modeli ekonomik i suksesshëm që ka aplikuar Shqipëria ndërsa shprehën interesin e tyre mbi potencialet që ofron vendi në kuadër të intensifikimit të bashkëpunimit midis Indonezisë dhe Shqipërisë në disa fusha të rëndësishme. Kryeparlamentarja Topalli shtoi se, “Brenda një kohe të shkurtër Shqipëria ka shënuar një rrugë të gjatë arritjesh që kanë transformuar vendin. Shqipëria është një vend i pasur me ujë, çka garanton potenciale të fuqishme për investimet në sektorin e energjetikës. Në vitet e fundit është bërë një transformim tërësor në rehabilitimin e infrastrukturës, çka ka nxjerrë në pah bukuritë turistike të vendit. Turizmi, është një tjetër fushë e pa eksploruar e Shqipërisë por që gjithashtu vitet e fundit ka tërhequr shumë investitorë të huaj të investojnë projekte ambicioze këtu”. Topalli vlerësoi se Shqipëria ka ndjekur një politikë mbështetëse ndaj investitorëve të huaj duke krijuar kushte të favorshme që investimet e tyre të shndërrohen në histori suksesi. Në takim, të dyja palët vlerësuan me nota pozitive harmoninë ndërfetare në Shqipëri, e cila, theksuan ata, duhet të shërbejë si një shembull paqeje dhe tolerance për mbarë botën. Në vijim të bisedës, kryeparlamentarja kërkoi mbështetjen e Indonezisë për njohjen e mëtejshme të pavarësisë së Kosovës, duke vlerësuar rolin e saj si faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon.

Advertisement