Maqedoni | Nesër votohet qeveria e re

alt

Kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski do të takohet sot me shefat e grupeve parlamentare për të vendosur mbi detajet e mbledhjes për zgjedhjen e qeverisë së re. Fillimi i seancës është caktuar për nesër në mesditë, ndërsa votimi i qeverisë pritet të përfundojë nesër në mesnatë. Lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, që zgjidhet si kryeministri i gjashtë pas shpalljes së Pavarësisë së vendit, është mandatuar për të tretën herë për formimin e Qeverisë. Ndërkohë ky është mandati i dytë që ai e ndan me partinë shqiptare BDI. Në mandatin e ri qeveritar, në postet e zëvendëskryeministrave të VMRO-DPMNE-së mësohet se janë caktuar Zoran Stavrevski dhe Vladimir Peshevski, ndërsa nga radhët e BDI-së, Teuta Arifi- zëvendëskryeministre për eurointegrime dhe Musa Xhaferi-zëvendëskryeministër për Marrëveshjen e Ohrit. BDI do të drejtojë ministrinë e Mbrojtjes për drejtimin e të cilës është caktuar Fatmir Besimi, ministrinë e Ekonomisë nga Valon Saraçini, të Drejtësisë nga Blerim Bexheti, Ambientit Jetësor nga Abdylaqim Ademi, të Pushtetit Lokal nga Nevzat Bejta, etj. Ministre e Brendshme do të jetë Gordana Jankullovska, ndërsa në detyrën e ministrit të Jashtëm është përzgjedhur Nikolla Popovski, i cili deri tani ka ushtruar detyrën e ambasadorit të Maqedonisë në Bashkimin Europian. Ministra pa portofol janë Nexhdet Mustafa, Hadi Nezir dhe Vele Samak.

Advertisement