Tiranë | Sot homazhe në nderim të deputetit Olldashi

Sot në ora 11:00 në selinë e Kuvendit do të zhvillohen homazhe në nderim të deputetit Sokol Olldashi, i cili humbi jetën mbrëmjen e djeshme në një aksident të rëndë automobilistik. Pas homazheve, në ora 14:00 do të zhvillohet ceremonia e varrimit ku do t’i jepet lamtumira e fundit deputetit, i ndarë para kohe nga jeta. Sokol Olldashi u nda dje nga jeta si pasojë e një aksidenti të rëndë automobilistik gjatë kalimit në një kthesë të fortë në rrugën Tiranë-Elbasan. Sipas të dhënave të para mendohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë shpejtësia dhe moti i keq e me lagështirë. Z. Olldashi, 41 vjeç, ishte një ndër politikanët më të spikatur të së djathtës. Në fillim të viteve 2000 ai i ngjiti shpejt shkallët e karrierës politike, ndërsa më parë kishte ushtruar profesionin e gazetarit. Në dy qeveritë e ish-kryeministrit Berisha, ai ka mbajtir postin e ministrit të Brendshëm dhe atij të Punëve Publike e Transportit.

Advertisement