Tiranë | Mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të deputetit Olldashi

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dërgoi telegram ngushëllimi me rastin e ndarjes nga jeta të deputetit të Republikës së Shqipërisë, Sokol Olldashi. “Lajmin e kobshëm për humbjen e parakohshme të mikut tim dhe deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Sokol Olldashi e pranova me hidhërim të thellë, andaj në emër të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe në emrin tim personal, shpreh ngushëllimet e mija më të sinqerta për këtë humbje të madhe për të gjithë ne”, thuhet në telegramin e Ahmetit. ”Kontributi i Sokolit në të gjitha zhvillimet demokratike në Shqipëri është i lartë dhe vepra e tij do të kujtohet me shumë respekt dhe mirënjohje nga të gjithë shqiptarët në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe në çdo vend tjetër ku ata jetojnë. Të gjithë ne bashkëndjejmë me dhimbjen e familjes suaj dhe ju mbajmë në lutjet tona gjatë këtyre ditëve të vështira për ju dhe të gjithë ne”, shtohet në të. Mesazhe të shumta janë drejtuar familjes Olldashi, pas humbjes tragjike të deputetit, Sokol Olldashi. Mijëra qytetarë kanë ngushëlluar familjen nëpër rrjetet sociale dhe mes tyre nuk kanë munguar as miqtë dhe kolegët ish-ministrit. “Një lajm i tmerrshëm dhe fatkeq, që sikurse shkreptima e natës kur vjen prishi qetësinë e familjes, miqve, atyre që e kanë njohur apo jo!!! Një humbje jashtëzakonisht e rëndë për familjen, miqtë, shoqërinë dhe politikën shqiptare!!! Lutjet shkojnë për shpirtin e tij që të prehet në paqe dhe për familjen që Zoti t’i japë forcë në momentin më të vështirë të jetës së tyre!!! R.I.P. MIK!!!”, shkruan Gerti Bogdani në Facebook. “Sapo u ktheva nga morgu i Tiranës. Jeta është e padrejtë shpeshherë. Si edhe në këtë rast. Lamtumirë miku ynë, Sokol Olldashi! Do na mungosh të gjithëve”, shkruan deputeti socialist, Alfred Peza në profilin e tij në Facebook.

Advertisement