Tiranë | Shuhet artistja e madhe, zëri i Shqipërisë, Vaçe Zela

Ka ndërruar jetë në Zvicër në moshën 75 vjeçare këngëtarja Vaçe Zela. Prej kohësh Vaçe Zela, për shkak të sëmundjes së saj mungoi fizikisht në aktivitetin muzikor, teksa mbetet “Zëri” i jashtëzakonshëm që mbushte me energji skenat shqiptare. Ndonëse e larguar prej 13 vitesh në Zvicër, e lumturonte fakti që njerëzit e kujtonin , që ata nuk e kishin harruar këngët e bukura që ajo i përcillte nga skena e festivaleve. E lindur në Lushnje, më 7 prill 1939, ajo do të këndonte që e vogël në aktivitetet e ndryshme që organizoheshin në qytetin e saj, ku u zbulua si talent për të qenë pas kësaj pjesë integrale e të gjitha festivaleve të muzikës në Radio dhe më vonë në Radio- Televizion, prej organizimit të parë të tyre në vitin 1962 deri në vitin 1981 kur u largua nga skena si fituese e çmimit të parë. Por ajo pati një kontribut të rëndësishëm dhe në muzikën e filmit, në të cilin ka interpretuar shumë këngë, pjesë e muzikës së filmave. Për yllin e muzikës shqiptare do të vinin njëri pas tjetrit çmime të shumta. Këngët “Çelu si mimoza”, “Djaloshi dhe shiu”, “E dua vendin tim”, “Ëndrra ime”, “Lemza”, “Nënave shqiptare”, “O diell i ri”, “Sot mbusha 20 vjet”, “Të lumtur të dua” e shumë të tjera do të mbeteshin në fondin e artë. Ndërsa çmimet që do të shkonin për këngëtaren janë të panumërta. “Artiste e Merituar” në ’73-in, “Artiste e Popullit” në ’77-ën, “Mjeshtre e madhe e punës”, “Qytetare nderi e Lushnjes”, po në qytetin e lindjes. Kinoteatrit iu vu emri i saj dhe u ngrit një bust, presidenti Alfred Moisiu i akordoi “Nderi i Kombit”, ndërsa u shpall edhe “Qytetare Nderi e Qarkut të Fierit. Çmime të tjera ka marrë edhe jashtë territorit të Shqipërisë. Ajo ka marrë Diskun e Artë nga Amerika, për kontribut në shoqëri në vitin ’97, është zgjedhur gruaja e vitit ’97-98 në Kembrixh të Anglisë, “Mikrofoni i Artë”, nga Ministria e Kulturës e Kosovës, “Çmimi i karrierës” e shumë të tjera. Ndërsa Instituti Biografik Amerikan e rreshton në botimin e tij ndër 500 njerëzit më me influencë. Viti 1991 do të shënonte ngjitjen e fundit në skenë për të, pikërisht në Zvicër, në një koncert për shqiptarët që jetonin atje. Vaçe Zela, artistja e madhe e popullit, nuk e kishte menduar asnjëherë se të kënduarit e këngës shqipe do ta përfshinin në librin e 500 personaliteteve me më shumë influencë në botë, e vetmja shqiptare që mori këtë çmim nga Instituti i Biografive në Amerikë.

Advertisement