Tiranë | Gjykata lë në qeli të dyshuarit si grabitës të pikave të karburantit

Gjykata e Tiranës vendosi sot të lërë në qeli të dyshuarit si grabitës të pikave të karburantit. Gjykata, pasi shqyrtoi aktet proceduriale të prokurorisë, caktoi ndaj tyre masat e sigurisë së “arrestit me burg”, deri në përfundim të hetimeve. Gjashtë të rinjtë u arrestuan pak ditë me parë, në kuadër të operacionit të koduar “Gjahtarët e natës”, pasi akuzohen për grabitje me dhunë në disa pika karburantesh ne disa qytete. Të arrestuarit janë Ndue (Aleksandër) Dushaj 28 vjeç, Aleksandër Daçi 26 vjeç, Fredi Mllugja 26 vjeç, Rigers Halmusaj 24 vjeç, Kristi Koleci 22 vjeç dhe Bashkim Mllugja 30 vjeç. Me cilësinë e provës materiale, ketij grupi u janë sekuestruar dhe dy automjete tip “Golf” dhe “Benz”, që dyshohet se janë përdorur për të kryer vjedhjet me dhunë.