Shërbimi Social Shtetëror ka kallëzuar në Prokurorinë e Rrethit të Pogradecit, për shpërdorim të detyrës, Kryetarin dhe anëtarët e Këshillit të Komunës Buçimas, si dhe dy ish Administratoret e Ndihmës Ekonomike dhe të Personave me Aftësi të Kufizuar në këtë komunë. Pas kontrollit të ushtruar nga auditi i Shërbimit Social Shtetëror u konstatua se 956 familje të Komunës Buçimas kanë përfituar ndihmë ekonomike në kundërshtim me kriteret ligjore, duke i shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 13,253,127 lekë. Nga këto, 317 familje vazhdonin ta përfitonin ndihmën ekonomike në shkelje ligjore, duke i shkaktuar shtetit, vetëm për periudhën Janar 2012 – Shtator 2013, një dëm ekonomik prej 11,481,989 lekë, ndërsa 157 familje janë trajtuar për herë të parë me ndihmë ekonomike në kundërshtim me ligjin, duke i shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 1,590,238 lekë. Auditi i kryer nga SHSSH-ja ka treguar se 482 familje të Komunës Buçimas janë trajtuar me ndihmë ekonomike vetëm me vendim të Këshillit të Komunës, pa patur propozim nga ana e zyrës të ndihmës ekonomike dhe pa marrë më parë konfirmime nga të gjitha institucionet e përcaktuara nga ligji. Nga ana tjetër, janë konstatuar 8 familje që kanë në përbërje të tyre anëtarë të cilët marrin pension pleqërie dhe njëkohësisht përfitonin ndihmë ekonomike, si dhe i disa rasteve të tjera për mungesa të dokumentacionit të nevojshëm për dhënien e përfitimit për personat me aftësi të kufizuara. Veprimet e mësipërme ngarkojnë me përgjegjësi ish Administratoret e Ndihmës Ekonomike dhe të Aftësisë së Kufizuar të Komunës Buçimas, si dhe Kryetarin dhe anëtarët e Këshillit të Komunës Buçimas. Në përfundim të këtij kontrolli, Shërbimi Social Shtetëror ka kërkuar regjistrimin e procedimit penal ndaj të kallëzuarve dhe ushtrimin e ndjekjes penale ndaj personave të tjerë që do të rezultojnë përgjegjës gjatë hetimeve të kryera. Shërbimi Social Shtetëror vazhdon kontrollet e skemës së Ndihmës Ekonomike dhe Pagesave të Aftësisë së Kufizuar.