Tiranë | Rama tatimorëve: Silluni si qytetarë me qytetarët, do rishkruajmë legjislacionin tatimor.

Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje administratës tatimore të ndryshojë rrënjësisht sjelljen në raport me këdo që kontribuon në arkën e shtetit. Duke folur në një takim me administratën tatimore Rama këmbënguli në apelin e tij drejtuar administratës tatimore që të ndryshojë menjëherë sjelljen me qytetarët dhe sipërmarrjen, duke i mirëkuptuar dhe duke u shërbyer atyre me dinjitetin që shteti duhet të ketë”. Rama tha se është koha për të dhënë provën që administrata e shtetit mund të jetë model në marrëdhëniet me qytetarët, duke mbyllur një epokë në historinë e administratës tatimore, për t’u shkëputur nga ryshfeti dhe dhuna psikologjike mbi ata që në fakt janë njerëzit që i japin gjak ekonomisë tonë dhe vendit mundësinë që të rritet. “Është koha që në këtë vend figura e njeriut që bën biznes të respektohet dhe të vendoset në piedestalin që meriton, ashtu si njerëzit e sferave të tjera të shoqërisë. Figurën e biznesmenit hajdut, kusar dhe të dyshimtë, nuk e ka krijuar vetëm ajo pjesë e komunitetit të biznesit, që është sjellë si e tillë, por e ka krijuar edhe sjellja arrogante e vetë shtetit në raport me biznesin”, tha Rama. Ai u bëri thirrje edhe sipërmarrësve që vihen përballë sjelljes dhe metodave të vjetra të abuzimit, “t’i bëjnë me dije Sekretariatit pranë Këshillit Ekonomik Kombëtar, se cfarë, si dhe me kë i ndodhi dhe emri i cilitdo që të shfaqet në këtë proces, le ta dijë që sot, që nuk ka me vend në administratën e shtetit dhe se do i duhet të përballet me drejtësinë”. Kryeministri kërkoi nga tatimorët të jenë të ndërgjegjshëm se ata paguhen nga njerëzit, të cilët kontrollojnë dhe që kanë të bëjnë drejtëpërdrejtë me ta. Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se shumë shpejt do të rishkruhet ligjislacioni tatimor. Sipas tij, “ligji aktual, si pasojë e ndryshimit të herë pas hershëm të tij, prodhon potencial të lartë mospërputhjesh dhe përplasjesh konceptuale mes shtetit dhe tatimpaguesit”. Rama tha se ndryshimi i kuadrit ligjor do të realizohet në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe ekspertët më të mirë ndërkombëtarë të fushës. Ndërsa ligji i tatimit mbi të ardhurat, tha ai, do të rishkruhet brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Për të plotësuar si duhet këtë ligj, Rama kërkoi angazhimin e përfaqësuesve të administratës tatimore dhe biznesit, duke sjellë sugjerimet e nevojshme. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Kryeministri preku edhe një prej shqetësimeve kryesore në marrëdhëniet e biznesit me shtetin, mosrespektimin e afateve për rimbursimin e TVSH-së. “Rimbursimi i TVSH-së, një detyrim që është anashkaluar në mënyrë të papranueshme, do të bëhet brenda 60 ditëve, në mënyrë që të mbyllim një herë e mirë një epokë. Kjo arritje, si asnjëherë më parë do të ndikojë drejtëpërdrejtë në rritjen e të ardhurave”, tha Rama, ndërsa shtoi se mosrimbursimi i TVSH-së ka rrënuar ekonominë private, por dhe atë kombëtare.

Advertisement