Marcus Antonini, zv/President i SHELL International për investimet dhe strategjinë, Jeroen M. Peters, zv/President i SHELL për kërkim zbulimin në Europë si dhe Glenn McNamara, Drejtor ekzekutiv i kompanisë Petromanas Energy, diskutuan me ministrin Naço veprimtarinë më të fundit të dy kompanive respektive në Shqipëri. Kompania Petromanas ka lidhur në vitin 2009 me shtetin shqiptar, një marrëveshje hidrokarbure për blloqet e kërkimit 2 dhe 3. Po kjo kompani, i ka transferuar kompanisë SHELL 50 për qind të interesave në këtë marrëveshje hidrokarbure. Drejtuesit e lartë të SHELL dhe Petromanas deklaruan në takimin me ministrin Naço, se për vitin 2012 është planifikuar shpimi i pusit “Shpiragu 2”, në afërsi të fshatit Mbjeshovë, komuna Sinjë, Berat, ku do të investohen rreth 50 milionë dollarë. Për eksponentët e lartë të këtyre kompanive, ky vit mund të rezultojë një “vit zbulimi” përsa i përket fushës së naftës. Nga ana e tij, Naço, falënderoi drejtuesit e SHELL dhe Petromanas për investimet e shumta të kryera prej tyre në Shqipëri në fushën e hidrokarbureve si dhe i inkurajoi ata në iniciativa të reja. Për ministrin e METE, zbulimi i një fushe të re nafte në Shqipëri, do të ishte një lajm i rëndësishëm jo vetëm për këto kompani, por edhe për gjithë shqiptarët. Ministri Naço i siguroi përfaqësuesit e kompanive naftë kërkuese se METE do të krijojë të gjitha lehtësitë dhe mbështetjen e nevojshme, për përshpejtimin e përgatitjes së të gjithë dokumentacionit të nevojshëm, që shërben për punën e këtyre kompanive në kërkimin dhe zbulimin e naftës në sektorin e përcaktuar. Naço vlerësoi se zbulimi i naftës në sektorin “Shpiragu 2”, gjatë vitit 2012, do të jetë një dhuratë mjaft domethënëse për shtetin shqiptar në 100 vjetorin e themelimit të tij.