Tiranë | Rama: ekonomia shqiptare është në rrënim

alt

I pranishëm në këtë tryezë, kryesocialisti Rama deklaroi se Shqipëria ka një rritje ekonomike 0%, ndërsa shtoi se qeveria nuk ka marrë parasysh asnjë prej propozimeve të PS. “Në 2009 dhamë alarmin për ekonominë, qeveria nuk na dëgjoi. Kërkuam ngrirjen e rritjeve të taksave e tatimeve, kërkuam rinegocimin e kredisë tregtare në valutë. Duhej të vendosej dialogu, të mos manipuloheshin shifrat ekonomike. INSTAT duhet të ishte në varësi të Parlamentit, asgjë prej këtyre qeveria nuk realizoi”, tha Rama. Për Ramën, problem mbetet edhe borxhi, që sipas tij nuk është 60% por 100%. Sipas tij, aq sa Shqipëria prodhon aq e ka dhe borxhin. “Të gjitha borxhet bëjnë që me një llogari fare të thjeshtë të thuhet se borxhi është 100% e prodhimit të brendshëm, sa prodhon aq ka dhe borxh, kjo është katandia e ekonomisë shqiptare. Pas 2009 borxhi publik është rritur me 3 mld dollarë. Çdo fëmijë ka mbi supe një borxh 2 mijë e 800 dollarë. Borxhi është 55$ në muaj për një familje shqiptare”, nënvizoi Rama. Rama u shpreh më tej se kriza ekonomike në Shqipëri sa vjen e rëndohet. Ai shtoi se janë dyfishuar taksat për biznesin, ndërsa ekonomia po fundoset nga monopolet “Ekonomia është në rrënim të mëtejshëm nëse nuk ka kthesë radikale. Kriza është reale, prek përditë familjet e sipërmarrjet”, sic tha ai. Rama i propozoi qeverisë uljen e taksave, të cilat sic tha ai, PS do t’i votojë menjëherë. “Të ulë taksat për bukën, sheqerin, vajin. Të ulë taksat për mësuesit, infermierët, policët. Të ulë taksat për ure, nitrat, fosfat, Të ulë akcizën e naftës, propozimet i ka, ne i votojmë menjëherë”, shtoi Rama.

Advertisement