Tiranë – Shalsi, toka nuk punohet nga pamundësia

“Është për të ardhur keq, që edhe pas 18 vjetësh Sali Berisha nuk e ka kuptuar ende se pse nuk punohet toka në Shqipëri, duke dëshmuar qartazi se nuk ka se si të zgjidhë problemet e bujqësisë dhe të popullsisë që jeton në fshat, një njeri i cili është me kilometra larg të kuptuarit të tyre, dhe që tashmë, në fakt, ai është shndërruar në problemin e tyre. Sali Berisha nuk e ka kuptuar ende se, toka nuk punohet jo nga mosdashja por nga pamundësia për ta punuar” u shpreh sot Shalsi. Sipas tij, Berisha nuk e ka idenë e kostove të larta që ka prodhimi bujqësor, ai nuk i di çmimet e larta të karburanteve, çmimet dhe pasigurinë e cilësisë së inputeve bujqësore, pa folur për mungesën totale të zinxhirit të lëvizjes së prodhimeve nga fusha në treg. “Ai nuk e di se ky sektor jetik as nuk kreditohet dhe as nuk rimbursohet, dhe se paratë e emigrantëve që janë financuesit e bujqësisë janë rralluar për shkak të krizës. Sali Berisha ka dështuar të kuptojë se nuk janë mekanizmat administrative të konfiskimit të tokës ato që do të zgjidhin problemin. Madje prekja e pronës cënon rëndë parimet kushtetuese dhe do të shkaktojë një konflikt social me përmasa të mëdha. Që do të thotë se Sali Berisha jo vetëm që nuk ka asnjë përgjigje për problemet me të cilat përballen fshatarët dhe bujqësia, por tashmë kërkon të administrojë të tjera troje për t’i konvertuar në nismat e tij 1 Euro-she, krejtësisht të dështuara për interesat e shqiptarëve, por të suksesshme për interesat e oborrit të tij personal” përfundoi Shalsi.

Advertisement