“Dua sot të tërheq vëmendjen e opinionit publik por edhe të institucioneve përkatëse për një nga proceset më të rëndësishme që është duke u administruar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, procesin e maturës shtetërore. Procesi i maturës shtetërore është shumë i rëndësishëm për dhjetëra mijëra maturantë të cilët me ankth janë duke pritur se si do të vazhdojë jeta e tyre akademike dhe profesionale. Lëvizja Socialiste për Integrim mbështet punën e deritanishme të bërë nga MASH në administrimin e procesit por gjithashtu inkurajon sot të gjitha institucionet e përfshira në të që të tregojnë maksimumin e përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit në mënyrë të tillë që ai të jetë i shpejtë, transparent dhe mbi të gjitha i drejtë për të gjithë maturantët për të shmangur çdo lloj konfuzioni përpara fillimit të vitit universitar”, deklaroi Pasha. Sipas tij, LSI do të jetë gjatë gjithë kohës në mbështetje të një procesi sa më të rregullt dhe do të garantojë çdo të ri dhe të re maturant se do të ulet në auditoret e universitetit në sajë të meritës së akumuluar gjatë viteve dhe të shprehur gjatë testimeve por edhe preferencës që ka treguar për shkollimin e lartë. “Nga ana tjetër ne kemi filluar një tur bisedimesh dhe konsultimesh me një sërë organizatash rinore, qeveritë e nxënësve dhe faktorë të tjerë të shoqërisë civile, duke dëgjuar me kujdes të gjitha rekomandimet dhe shqetësimet e tyre në lidhje me proceset e mësimdhënies, aktiviteteve të ndryshme dhe cilësinë e ambienteve shkollore, rekomandime të cilat do të reflektohen në programin e përbashkët qeverisës. Dua sot të garantoj të gjithë të rinjtë shqiptarë se LSI do të jetë përherë një dëgjuese, reflektuese dhe mbështetëse e kërkesave të tyre” përfundoi Pasha.