Tiranë | Ruci: shqiptarët nuk duan të dëgjojnë eufori nga kryeministri

“Kryeministri me demagogjinë e tij po sulmon taksën progresive, alternativë që opozita shqiptare ka sot me elektoratin”, deklaroi kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, gjatë seancës së sotme plenare. Gjatë debatit për marrëveshjen e koncesionit të HEC-t të Devollit, Ruçi reagoi ndaj deklaratave të kryeministrit në parlament, duke theksuar se taksa progresive është një taksë e ekonomisë së tregut, e aplikuar në Europë. “Ju nuk keni pse përdorni frazeologjinë tuaj për të debatuar për taksën progresive. Nëse ke argumenta Edi Rama të ka ftuar më shumë se njëherë në debat publik që të debatoni për taksën progresive”, u shpreh Ruçi. “Shqiptarët këtu në sallën e parlamentit duan të dëgjojnë sa qeveria është profesionale, transparente dhe nuk duan të dëgjojnë eufori nga kryeministri. Duan të dëgjojnë pse ka dështuar qeverisja juaj dhe pse mbi të gjitha pas katër vjetësh, në muajin e fundit të mandatit, duam të shikojmë se ç’llogari jep kryeministri për mbajtjen e premtimeve”, iu drejtua Ruçi Berishës. “Je në fund të mandatit kryeministër dhe duhet të japësh llogari për dështimet, papunësinë, varfërinë, korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë e ligjit. Duhet të japësh llogari për gjithçka ke premtuar dhe nuk i ke realizuar”, theksoi kreu i grupit të opozitës në parlament.

Advertisement