Tiranë | Nis konstituimi i KZAZ-ve, KQZ vendos dhe për numërimin elektronik

Konstituimi i Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nis të premten me thirrjen e mbledhjes së parë të KZAZ-ve në qarkun e Tiranës dhe Durrësit, ndërsa të shtunën do të bëhet konstituimi i tyre në qarqet e tjera të vendit. KQZ, përmes një deklarate për shtyp njofton se i ka marrë të gjitha masat për dërgimin e bazës materiale që do të shërbejë për fillimin e punës së këtyre komisioneve, si dhe do të asistojë me përfaqësuesit e tij në konstituimin e tyre. KQZ po ashtu ka njoftuar partitë politike për ditën, orën dhe vendin ku do të zhvillohen mbledhjet e KZAZ-ve në të gjitha qarqet e vendit duke vënë në dispozicion të tyre dhe dokumentacionin përkatës. Me këtë rast KQZ i bën thirrje partive politike, që kanë anëtarë në këto KZAZ, që në funksion të përmbushjes së këtij detyrimi ligjor të japin kontributin e tyre në konstituimin e këtyre komisioneve brenda afatit të përcaktuar në vendimin e KQZ-së. Gjithashtu KQZ kërkon nga kryetarët e njësive të qeverisjes vendore në territorin administrativ të të cilave do të vendosen selitë e KZAZ-ve, të krijojnë të gjitha kushtet për mbarëvajtjen e punës së këtyre komisioneve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjithashtu pritet të miratojë të premten planin e projektit të numërimit elektronik (SEN), që do të përdoret për herë të parë në qarkun e Fierit në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Procesi i numërimit në Fier, sipas programit të hartuar nga administrata zgjedhore parashikohet të zgjasë 24 orë. Kështu nga data 23-24 qershor do të zhvillohet numërimi elektronik dhe transmetimi i të dhënave në kohë reale në KQZ. Ndërsa më datë 25 kompania spanjolle INDRA do të dorëzojë në KQZ në formë elektronike rezultatet dhe imazhet e fletëve të votimit të skanuara nga SEN. Testimi i parë i projektit të sistemit elektronik të numërimit do të realizohet nga KQZ dhe kompania e kontraktuar më datë 13 prill 2013. Sipas plan-projektit, KQZ do të caktojë dhe një audit të pavarur për vlerësimin e testimit të parë. Ndërsa raporti do t’i dorëzohet KQZ-së 10 ditë pas testimit, ku do të paraqitet analiza e mbarëvajtjes së projektit. Një muaj para zgjedhjeve, administrata zgjedhore do të realizojë transportimin e pajisjeve skanera, të cilët do të dërgohen nga kompania INDRA, me seli në Spanjë.

Advertisement