Tiranë – Rasmussen viziton vendin

Axhenda zyrtare e vizitës fillon me një takim Tetë a Tetë mes tij dhe zëvendëskryeministrit dhe njëkohësisht ministrit të Jashtëm, Ilir Meta. Nga ora 10:40 deri në 11:25 është parashikuar një takim mes delegacioneve përkatëse dhe në ora 11:25 deri në 11:50 ka një konferencë të përbashkët shtypi midis Rasmussen dhe Metës. Pasi mbyllen aktivitetet në Ministrinë e Jashtme, sekretari i përgjithshëm i NATO-s zhvendoset drejt Ministrisë së Mbrojtjes. Aty nga ora 12:00 deri në 12:30 do të mbahet një takim me ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami. Axhenda vazhdon me vizitën në Kryeministri dhe takimin me Kryeministrin nga ora 12:40 deri në 14:15 të mesditës. Pas takimit me dyer të mbyllura do të bëhet një konferencë e përbashkët shtypi mes Rasmussen dhe Berishës. Drejtuesi i Aleancës së Atlantikut të Veriut do të mbërrijë më pas në Kuvendin e Shqipërisë ku do të bashkëbisedojë me kryeparlamentaren Jozefina Topalli. Vizita e Rasmussen do të përmbyllet me ndalesën e tij në Presidencë ku do të takojë kreun e shtetit, Bamir Topi. Bashkëbisedim që do të mbahet në intervalin kohor 15:40 deri në 16:20. Vizita e Rasmussen mbart një rëndësi të madhe për shkak se vendi ynë tanimë është anëtar me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Situata politike pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit pritet të jetë një tjetër objekt diskutimesh mes personaliteteve shqiptare dhe zyrtarin të lartë të NATO-s. Pritet që Rasmussen të lëshojë mesazhe të forta në drejtim të klasës politike në Shqipëri me qëllim zgjidhjen sa më shpejt të ngërçit të krijuar. Sakaq, nuk pritet të mbetet jashtë vëmendjes as ligji mbi Shërbimin Informativ Shtetëror. Nisma ligjore u tërhoq nga qeveria pas presionit të ambasadorëve dhe telefonatës së Rasmussen i bëri Kryeministrit Berisha pak kohë më parë.

Advertisement