Edi Rama rikthehet në një biznes fason, tashmë në cilësinë e kryeministrit dhe me premtime të mbajtura. Në këtë fabrikë fason në kryeqytet, të cilën e ka vizituar në 18 mars të vitit 2013 si kryetar i opozitës, Edi Rama ishte angazhuar për lehtësira për të gjithë industrinë fason në vend. Sot, Rama së bashku me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj u bëri të ditur drejtuesve të këtij biznesi disa nga masat konkrete që do të merren për të nxitur këtë sektor dhe për të rritur punësimin në vend. Kreu i Ekzekutivit tha se “kemi ardhur dhe më parë këtu. Jemi kthyer, pasi me detyrat që na keni dhënë, 42 pika i ka shënuar ministri, ne po përgatisim sintezën, por janë disa masa që janë absolutisht të domosdoshme. së pari, heqja e gjithë taksës së punës për të punësuarit e rinj, për një periudhë të caktuar kohore; ulja e nivelit të riskut në doganë për të kaluar nga dy-tre ditë në disa orë dhe për të mbyllur një histori të vështirë” Duke nënvizuar se nuk diskutohet heqja e gjithë barrës së kontrolleve dhe të atyre abuzimeve skandaloze që ju vuajtët deri në fund, Rama tha se nga ana tjetër TVSH-ja zero për makineritë, për të gjithë listën, jo gjysma-gjysma, siç ka qenë deri tani, nuk diskutohet”. Sipërmarrësit shprehën interes në mënyrë të veçantë për faktin se çdo kontribut i tyre, do të riinvestohet përsëri tek ata. Kjo ishte një tjetër çështje që Kryeministri Rama u prezantoi si risi të paketës së re për këtë industri. “Ajo që është më e rëndësishmja pa lëvizur tatim-fitimin, gjithçka që ne marrim nga tatim-fitimi i fasonëve të riinvestohet për punësimin përsëri tek ju. Pra, çdo kontribut që ju jepni, kthehet tek ju, me një kontribut të shtuar të shtetit nga fondi i nxitjes së punësimit dhe kjo na çon në një situatë krejt të re,” nënvizoi Edi Rama. Kryeministri tha se qeveria do ta mbështesë industrinë fason duke krijuar kushte që të mund të përballohen sipërfaqet me qira; që të mund të përballohet rritja e fuqisë punëtore, pa pasur barrën e sigurimeve për një periudhë të caktuar, për çdo vend të ri pune; si dhe që bashkërisht të nxitet kualifikimi, në mënyrë që të shkohet drejt ciklit të mbyllur. Shkollën profesionale, u shpreh ai, ta bëjmë shkollë të fabrikave që të lidhet drejtpërdrejtë me to dhe që sjell rritje të punësimit. Ndërsa sipërmarrësit, teksa i treguan Kryeministrit mjediset e reja të punës, shprehën objektivin për të shtuar 150 vende të reja, vetëm në këtë godinë. Ata thanë se ndihen më të motivuar për ta bërë këtë, duke parë nga afër vizionin e ri të qeverisë për të mbështetur biznesin fason. Gjithashtu, sipërmarrësit pohuan edhe një interesim shumë më të lartë të partnerëve të huaj, kryesisht italianë, që sipas tyre merr nxitje nga vizitat dhe takimet, që kryeministri Rama ka zhvilluar në Itali. “Biznesi italian, ndoshta dhe në sajë të vizitës që keni bërë ju në Itali, ka shpresë dhe besim që Shqipëria është një vend i besueshëm. Ne në kuadër të kësaj kemi marrë gjithë këto iniciativa dhe zhvillime, sepse nuk është e lehtë. Ne hedhim para kur investojmë. Por na ka dhënë shumë shpresë kjo punë. Ne mendojmë që të lidhim disa kontrata të mira. Ne mendojmë të zgjerohemi dhe do ta zgjidhim shumë mirë pjesën e punësimit,” u shpreh një sipërmarrëse. Ndërsa një tjetër sipërmarrës i kësaj industrie shtoi se ndjehen të mbështetur: “Jemi të frymëzuar për të investuar në këtë periudhë sepse shikojmë që ka shumë mbështetje nga qeveria, shikojmë një vizion të ri për të mbështetur biznesin fason dhe kjo na stimulon për të avancuar me biznesin tonë.” Nga ana e tij, edhe Kryeministri theksoi interesin e lartë të kompanive të huaja për të investuar në Shqipëri, rezultat i klimës së re të besimit që është krijuar ndaj Shqipërisë: “Interesi rritet në mënyrë të përjavshme qoftë nga forcat e brendshme, në rastin konkret nga ju që keni investuar dhe që doni të shkoni me tutje, qoftë dhe nga forca të jashtme, si investues italianë, francezë, gjermanë, që duan të investojnë këtu në Shqipëri, për të shfrytëzuar nga njëra anë distancën shumë të afërt, që është strategjike për ne, dhe nga ana tjetër klimën e re të besimit që është krijuar ndaj Shqipërisë.” Ministri Ahmetaj theksoi faktin se vetëm dje dhe sot janë vizituar fabrika që kanë në total 1700 vende të reja pune.