Tiranë | Panariti thirrje donatorëve: Bujqësia kërkon fonde për zhvillim

“Bujqësia është sektori që pavarësisht krizës ekonomike, ende ruan rritje, ku tremujorin e dytë të vitit të shkuar, pati një rritje 3%. Megjithatë ende ky sektor ka potenciale të pashfrytëzuara dhe një nga pengesat për zhvillimin e bujqësisë, ka qenë pamjaftueshmëria e financimeve”. Kështu deklaroi Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, i pranishëm në prezantimin e projektit AgroKapital të financuar nga USAID, një program 3 vjeçar që synon të rrisë investimet në bujqësi, veçanërisht në agrobiznes. Ministri Panariti u shpreh se tema e financimit në bujqësi është shumë e rëndësishme. Panariti tha se “kjo situatë vjen edhe për shkak të shkallës së lartë të informalitetit në bujqësi dhe pikërisht për këtë është angazhuar Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Bujqësisë, pra për të formalizuar këtë sektor”. Më tej, Panariti theksoi se bujqësia kërkon fonde për zhvillim, investim në teknologji moderne, për krijimin e pikave të grumbullimit, magazinave frigoriferike etj. “Konkretisht Ministria e Bujqësisë synon të sjellë risi në skemat e reja të mbështetjes me financimin e teknologjive të reja që rrisin rendimentin dhe janë miqësore me mjedisin. Në serat me ngrohje synojmë që nafta të zëvendësohet me alternativa të tjera psh me gaz duke shfrytëzuar dhe projektin TAP që do të kalojë në vendin tonë. Në këtë këndvështrim, Ministria e Bujqësisë i bën thirrje gjithë investitorëve, donatorëve, bankave të orientojnë fondet pikërisht drejt zhvillimit të sektorit të bujqësisë”, përfundoi fjalën e vet Ministri Panariti. Programi Agro capital, i financuar nga USAID dhe zbatuar nga Creative Business Solution, synon që brenda tre viteve të investojë 18.5 mln dollarë dhe të hapë 1150 vende të reja pune në sektorin e bujqësisë.

Advertisement