Tiranë | Rama: Ndëshkim për këdo që i ka rënë në qafë këtij populli

Kryeministri Edi Rama, tha sot nga foltorja e Kuvendit, se opozita është më e frikësuar se kurrë, për shkak të atyre që ka bërë në kurriz të shqiptarëve.Sipas Ramës, “opozita është bërë njësh me baltën e shpifjeve dhe para se të akuzojë qeverinë se po i merr frymën popullit, duhet të analizojë arsyet e humbjes së saj në zgjedhje”. Kryeministri theksoi më tej se opozita është e katandisur në burimin më toksik të mbetjeve të politikës së vjetër komuniste, përsëri do t’i humbasë zgjedhjet. Opozita e ka humbur rrugën e ideve dhe ballafaqimit dhe ka zgjedhur atë të denigrimit të njeriut. E vetmja gjë që di të bëjë është, të bëjë pis çdo gjë që prek dhe çfrarëdo që flet. Kryeministri Rama paralajmëroi ndëshkim për çdo padrejtësi, shkelje ligji dhe vepër korruptive të konsumuar nga ish-qeveritarët. Kreu i qeverisë theksoi se, “sado që ta kenë përgatitur armatën tyre të korruptuar në gjykata, nuk i dihet se si do u vijë puna të gjithë atyre që me vite me radhë i kanë ra në qafë këtij populli”. Rama i kujtoi paraardhësit të tij në krye të qeverisë, Sali Berisha, se betejën për ta nxjerrë popullin kundër kësaj qeverie, gjoja në emër të interesave kombëtare, e ka të humbur. “Mendojnë se do t’i nxjerrin shqiptarët në rrugë kundër qeverisë për interesa kombëtare, ndërkohë që interesin kombëtar e shitën kur ishin në detyrë, duke i hequr Shqipërisë një pjesë të detit, sikur të ishte një copë bakllava. Shqiptarët më kollaj besojne se Berisha është komik më i madh se mister Bean, se sa më patriot se Ali Ahmeti”, tha Kryeministri shqiptar. Duke iu referuar temës shumë të diskutueshme të ditëve të fundit, në opinion, media dhe politikë, spostimin e mundshëm të rrjedhës së lumit të Radikës, Rama nuk ngurroi ta cilësojë qëndrimin e opozitës në raport me këtë çështje, si përpjekje për të konfliktuar shqiptarët e Shqipërisë me ata të Maqedonisë. Ndërsa shtoi se ka “vdekur” koha kur qeveritë tradhtonin interesat e vendit të tyre, Kryeministri bëri të ditur edhe një herë, se nuk ekziston asnjë vendim dhe asnjë projekt zbatimi nga të dy qeveritë përkatëse. Kryeministri Rama gjithashtu i bëri thirrje opozitës të presë derisa prokuroria të thotë fjalën e saj lidhur me çështjen e abuzimit me rimbursimet e paligjshme të miliona eurove kompanive fantazmë, apo ndërhyrjen në librin elektronik të tatimorëve.

Advertisement