Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar edhe nga ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, inspektoi mesditën e sotme punimet në aksin rrugor Tiranë-Elbasan. Zhbllokimi i kantiereve të mbetura peng në zinxhirin e borxheve të papaguara, për kreun e qeverisë “është vetëm njëra pjesë e problemit me të cilin ne përballemi sot”, pasi, sipas tij, “pjesa e tjetër e problemit janë projektet pa standarde, pa specifikime dhe pa asnjë qasje bashkëkohore në kushtet kur qytetarët e këtij vendi dhe ky vend meritojnë shumë më tepër”. Rama vlerësoi se qasja e qeverisë ndaj infrastrukturës rrugore do të bazohet pikërisht në këto dy problematika. “Nga njëra anë do të bëjmë çmos që gjithë këtë punë të sapo nisur ta vendosim në shinat e duhura të respektimit të afateve dhe cilësisë dhe, nga ana tjetër, duhet të rehabilitojmë çfarë është e mundur në kushtet kur tanimë një pjesë e gjërave janë të palëvizshme, pasi projektet janë bërë dhe punët kanë nisur”, u shpreh Kryeministri Rama për mediat e pranishme gjatë këtij inspektimi. Ndërsa Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, tha se qeveria synon të adoptojë një filozofi krejtësisht të re sa i takon cilësisë e respektimit të standardit më të lartë të punimeve e përfundimit në kohë të tyre. Qeveria e mbështet këtë filozofi, tha ai, “që ka të bëjë me cilësinë më të lartë me të gjithë parametrat e nevojshëm, me parametrat inxhinierik, sinjalistikës, për të realizuar ato në kohë dhe me buxhetin përkatës. Kjo rrugë, tha Haxhinasto, “do të jetë një model i realizimit të një vepre publike dhe një standardi rruge”. Sipas tij, rrugët në Shqipëri do të ndryshojnë pamje.