Tiranë | Qytetarët protestojnë kundër pedofilisë dhe sistemit të drejtësisë

Pas dëshmisë tragjike të pedofilit i cili deklaroi se ka vrarë pas abuzimit me të, një fëmijë 11 vjeçar, dhe tentativës për të kryer të njëjtin akt dhe me një fëmijë tjetër, dhjetëra qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile protestuan para selisë së Presidencës. Pjesëmarrësit protestuan kundër sistemit të drejtësisë, i cili sipas tyre nuk garanton të drejtat themelore të shtetasve. E nisur fillimisht si reagime spontane në rrejtin social Facebook, protesta e qytetarëve prej disa ditësh ka qenë në fokusin e komunikimeve ku pjesa më e madhe i janë bashkuar kësaj nisme qytetare për të mbrojtur fëmijët e familjen nga fenomene që vënë në rrezik jetën dhe ekzistencën e tyre. Protesta e qytetarëve tentoi të zgjojë ndërgjegjen qytetare për t’ju bashkuar dhimbjes së prindërve e fëmijëve me të cilët është abuzuar. Sipas drejtuesve të saj, shoqëria shqiptare nuk duhet të qëndrojë më indiferente për çështje kaq të rëndësishme por duhet të ngrejë zërin e saj në mbështetje të viktimave të dhunës, qofshin këta gra apo fëmijë, e të kërkojë që sistemi i drejtësisë të funksionojë dhe që ligjet të zbatohen.

Advertisement