Tiranë | Nis ndërtimi i rrugës së “kosovarëve”

Me një investim prej 86 milionë lekësh ka nisur ndërtimi i rrugës së “Kosovarëve”, në njësinë bashkiake nr. 5. Kjo rrugë lidh një zonë shumë të populluar të Tiranës, “Komunën e Parisit” me parkun e Liqenit Artificial, duke vijuar me tej me Unazën e Re. Në këtë rrugë me gjatësi 570 metra do të ndërtohet sistemi i kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, ujësjellësi do të ketë ndriçim rrugor si dhe do të mbillen mbi 140 pemë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka inspektuar sot punimet që po kryhen në këtë rrugë e cila do të ketë përmasat e një bulevardi. “Bëhet fjalë për një nga rrugët e rëndësishme të qytetit tonë, e cila sot fillon të zhvillohet me parametra faktikisht të një bulevardi, me një gjerësi të rrugës prej 12 metrash, me parkime në të dyja anët dhe me trotuare të gjerë 4 metra, në të dy krahët, pra ndër trotuaret më të gjerë që mund të investohet në një rrugë të parametrave urbanë. Kjo rrugë është një pjesë e rëndësishme e jetës së mbi 10 mijë banorëve të kësaj zone, pasi është arteria e tyre e vetme pedonale, (këmbësore) që i lidh me parkun e Liqenit, ndërkohë që funksionon si arterie lidhëse për mbi 25 mijë banorë të tjerë që jetojnë në këtë zonë dhe që mund të kenë akses në park apo kanë akses në park, duke ecur në këmbë. Vura re me shumë kënaqësi se banorët mezi e presin ndërtimin e kësaj rruge, e cila faktikisht ka qenë në planet e Bashkisë për t’u ndërtuar për mbi 7 apo 8 vjet por me sa duket ky është momenti i parë në të cilin Bashkia po merret seriozisht me implementimin e këtij projekti” – u shpreh kreu i Bashkisë Lulzim Basha. Pavarësisht kohës së paqëndrueshme në të cilën kanë nisur punimet në infrastrukturën tejet të rënduar të qytetit të Tiranës dhe në një pjesë të saj të pavënë asnjëherë dorë më parë, Kryebashkiaku Basha tha se këto punime do të përfundojnë brenda afatit të përcaktuar në kontrata.

Advertisement