Partia Socialiste ka vijuar me fushatën “100 arsye për të mos votuar Berishën”. Sipas sekretarit për sipërmarrjen në këtë parti Arben Ahmetaj, një tjetër arsye pse shqiptarët nuk duhet të votojnë qeverinë aktuale më 23 qershor, është dështimi i tij me sektorin e naftës duke filluar që nga kërkimi, prodhimi, përpunimi e deri tek tregtimi me pakicë, proces ky që sipas tij, është në faliment të plotë. “Në këto 8 vjet, kërkimi në sektorin e naftës ka dështuar dhe asnjë pikë naftë e re nuk është zbuluar”, thuhet në deklaratë. Sipas PS-së, “shkrirja e institutit të naftës, eliminimi i mbikëqyrjes së prodhimit dhe i monitorimit të impaktit në mjedis, janë veç disa nga veprimet e kësaj qeverie që kanë mundësuar daljen jashtë çdo kontrolli të këtij sektori”. Ahmetaj shtoi se “koncesionet jotransparente, klienteliste, korruptive dhe pa asnjë logjikë ekonomike në sektorin e naftës janë një tjetër dështim i Sali Berishës, ndaj pas 89 ditësh ky sektor do të fillojë të rilindë së bashku me ekonominë shqiptare”.