Tiranë | Vollfarth: të rritet pjesëmarrja e grave në listat zgjedhore

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Vollfarth, nxiti pjesëmarrjen e grave në listat zgjedhore të partive politike për zgjedhjet e 23 qershorit, në përputhje kjo me frymën e kuotës gjinore. Vollfarth organizoi një drekë pune për deputetet e Kuvendit, për të vënë në dukje arritjet në promovimin e rolit të grave në jetën politike dhe për të nxitur rritjen e mëtejshme të përfaqësimit të tyre në legjislaturën e re. “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka qenë një mbështetëse e fortë e rritjes së pjesëmarrjes së grave në jetën politike dhe publike. Ne kemi zhvilluar programe për rritjen e kapaciteteve të grave në role drejtuese dhe kemi ndihmuar në komunikimin e deputeteve me zgjedhësit e tyre”, tha Vollfarth. Përveç kësaj, OSBE ka ndërtuar struktura bashkëpunimi për afërsisht 1 500 gra nga politika në nivelin kombëtar e vendor, shoqëria civile dhe biznesi. “Gëzohem kur shoh se të gjitha këto përpjekje po japin fryte dhe se deputetet janë pararoja e bashkëpunimit ndërpartiak”, tha Ambasadori Vollfarth. Vollfarth theksoi gjithashtu se “listat e kandidatëve të partive politike për zgjedhjet e qershorit do të hartohen së shpejti. Unë do të shpresoja dhe prisja të shihja një numër grash në pozicione ‘të mira’ në listat e partive, në përputhje me frymën e kuotës gjinore”. Kjo, sipas tij, jo vetëm do të dërgonte një sinjal të fortë për angazhimin e partive në përmbushje të kuotës gjinore, por do të shërbente edhe si një nxitje e mëtejshme për pjesëmarrjen e grupeve që nuk janë të përfaqësuara sa duhet në jetën politike shqiptare.

Advertisement