Sipas deklaratës së zyrës së shtypit të PS-së rreth takimit në fjalë, “dy përfaqësuesit më të lartë socialistë dëgjuan me vëmendje gjithë çfarë dëshironte t’u përcillte z. Nano, për platformën e tij për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Republikës mbi palët e jashtë palëve politike”. “Nga ana e tyre ata i kanë thënë z. Nano se PS synon krijimin e kushteve për një proces politik, ku publiku të mos ndjehet i përjashtuar dhe ku të gjitha palët parlamentare të përfshihen në një dialog konstruktiv. Socialistët do të jenë të angazhuar për t’i dhënë Republikës një President me votat e më shumë se një pale, si edhe vetë Shqipërisë një argument bindës në mbështetje të kërkesës për statusin e vendit kandidat për në BE”, thuhet në deklaratë. “PS, vijon deklarata, do të aktivizohet së shpejti publikisht përmes kryetarit, Edi Rama dhe drejtuesve të tjerë të mandatuar nga forumi më i lartë i PS-së, për të komunikuar drejtpërdrejt me palët e tjera parlamentare pa dallim”. “Qëllimi i këtij komunikimi do të jetë eksplorimi i të gjitha mundësive për një proces politik dobiprurës, në funksion të kalimit të provës shumëplanëshe ku e ka vënë Shqipërinë dhe politikën shqiptare si e tërë, zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës”, përfundon deklarata e selisë rozë pas takimit Nano-Rama.