Tiranë – PS, mikrokamerat nuk cënojnë procesin, ndërkombëtarët në dijeni

Anëtarja e Kryesisë së selisë rozë, Lindita Nikolla, ka pohuar në një konferencë për shtyp se Partinë Socialiste nuk do ta pengojë askush që të garantojë votën e lirë të qytetarëve. “Partia Demokratike nuk duhet të ketë frikë nga llambat fosforeshente me të cilat ne duam të vërtetojmë nëse mjetet e identitetit janë të sigurta dhe jo false”, u shpreh Nikolla. Madje ajo shtoi se për këto mjete kanë qenë në dijeni edhe vetë ndërkombëtarët, duke i konsideruar si mjete të teknologjisë së lartë, të cilat nuk cënojnë procesin. Nga ana tjetër, Nikolla vuri në dukje edhe incidentin në një qendër votimi të Kombinatit me kandidatin socialist, Saimir Tahiri, të cilit pikërisht iu gjet një mjet i tillë me mikrokamera. “Punonjësit e rendit, që sulmuan Tahirin, janë aty për të garantuar procesin dhe jo të fusin duart në xhepat e qytetarëve”, tha anëtarja e Kryesisë së Partisë Socialiste.