Ky ka qenë konkluzioni i nxjerrë nga deputeti Eduard Shalsi në një përmbledhje që u ka bërë shifrave dhe fakteve të publikuara deri më tani për këtë skandal. “Ja se si i shpenzon paratë e taksapaguesve qeveria, për spote e reklama mediatike, dhe për aktivitete. Shikoni ndryshimin e shpenzimeve për reklama mediatike në vitet elektorale. Dhe si të mos mjaftonte kjo, shikoni ndarjen e fondeve për reklamë, kush e merr pjesën e luanit nga fondet qeveritare. Klani i Promos, apo Promo e Klanit, sidoqoftë, Frangajt”, u shpreh Shalsi. “Milionat e parave të reklamave nuk kanë shkuar për të mirën publike, por për interesa private të oborrit familjar dhe të një klani shërbëtorësh të pushtetit të Sali Berishës. Natyrisht që media ka një rol të pazëvendësueshëm për të informuar publikun dhe është e domosdoshme të mbështetet. Por për të siguruar një media të lirë dhe të pavarur është e po aq e nevojshme që shpërndarja e parave publike të bëhet në mënyrë të drejtë dhe transparente dhe të mbështetur, jo mbi norma të verbëta politike, por mbi kritere të pastra shikueshmërie dhe tirazhi. Dhe kjo është ajo që Partia Socialiste do të bëjë me të ardhur në pushtet. Sepse ne besojmë se sa më e mirë, transparente dhe demokratike qeverisja aq më e lirë do të jetë media, dhe jo siç po ndodh aktualisht ku një qeverisje e keqe po lufton egërsisht për të shkatërruar tregun mediatik dhe median e lirë në Shqipëri”, ka përfunduar deputeti socialist.