Tiranë | Ministria e Integrimit reagon: si i ka shpërndarë Rama reklamat e Bashkisë

“Edi Rama nëpërmjet Shalsit, ka ditë që trillon e shpik lidhur me fushatat informuese të Ministrisë së Integrimit, të cilat janë kryer në respekt të plotë të ligjit dhe detyrimit për informimin e publikut. Edi Rama nëpërmjet Shalsit ka ditë që mashtron opinionin publik duke gënjyer e interpretuar sipas qejfit dokumentat zyrtare të dorëzuara nga institucioni ynë pranë Kuvendit të Shqipërisë me kërkesë të deputetëve socialistë. Ministria e Integrimit bën me dije se ka realizuar sipas detyrimeve institucionale aktivitetet që kanë qenë ditë feste për gjithë Shqiptarët!” thuhet në deklaratën zyrtare të kësaj ministrie. Duke theksuar se shpërndarja është bërë konform rregullave, e barabartë, pa përjashtuar asnjë televizion kombëtar nisur nga politika redaksionale apo aneksimet partiake, Ministria e Integrimit akuzon kreun socialist Rama për shpenzimet gjatë periudhës që ky i fundit ishte në krye të Bashkisë së Tiranës: “Edi Rama dhe Shalsi do të ishte mirë të tregonin me dokumenta, sa ata kanë respektuar ligjin në shpërndarjen e reklamave të bashkisë, institucion që Rama e drejtoi për 11 vjet. Sa ka shpenzuar për reklamat dhe eventet për netët e bardha në Tiranë apo festën me zjarre në Pezë? Sa evente artistike ka realizuar pasi rriti e shtoi taksat ndaj biznesit?”  

Advertisement