Kërkesa e Partisë Socialiste për të ndryshuar përbërjen dhe funksionimin e Komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Territoriale, pritet të diskutohet sot në Konferencën e Kryetarëve.
Propozimi i partisë Socialiste iu dërgua Kuvendit, dhe konkretisht parashikon ndryshimin e numrit të anëtarëve të Komisionit, duke e çuar numrin e tyre në 17, ku 9 t’i përkasin mazhorancës dhe 8 anëtarë opozitës. Në këtë kushte, mazhoranca fiton kuorumin dhe hapet drita jeshile për nisjen nga puna të këtij komisioni, i cili aktualisht është i përberë nga tetë deputetë të majtë dhe tetë të djathtë. E pavarësisht nga kjo, është lënë ende dhe një mundësi e dytë për opozitën, që nëse dëshiron të bashkëpunojë, mund të marrë pjesë, por këtë radhë edhe ajo me një deputet më shumë, pra, 9, për t’u barazuar. 3 muaj nga ngritja e tij, Komisioni nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje, përveç asaj të konstituimit më 23 janar. Për këtë arsye, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruci i cili ka dorëzuar kërkesën në Kuvend, shtoi mes të tjerash se lind nevoja për shtyrjen e afatit të funksionimit të Komisionit, duke qenë se ai e mbyll veprimtarinë në datën 24 prill. Partia Demokratike ka deklaruar se nuk do të bëhet pjesë e procesit, derisa sipas saj, të garantohet konsensusi nga fillimi deri në fund të realizimit të kësaj reforme.