Tiranë | Sot prezantohen masat lehtësuese për fasonët

Kryeministri Rama prezanton sot në një takim të zgjeruar paketën ndihmëse për industrinë e përpunimit aktiv.

Kjo paketë është reflektim i një modeli të ri për ekonominë e vendit, i cili ndryshon kryekëput nga modeli i mëparshëm që bazohej tek reminitancat, borxhi publik dhe industritë si ndërtimi etj. Modeli i ri ekonomik, i cili është duke u instaluar, po i zëvendëson këta faktorë, jo më aq eficencë, me faktorë të rinj ekonomikë. Bazat kryesore të këtij modeli janë prodhimi vendas, investimet e huaja të drejtpërdrejta dhe kthimi në eficencë i ekonomisë për të siguruar një zhvillim normal të ekonomisë dhe bizneseve bazuar mbi partneritetin qeveri-sipërmarrje. Paketa e fasonit, e cila do të prezantohet sot është paketa e parë e këtij lloji për industrinë e përpunimit aktiv në Shqipëri. Veçoria e saj më e madhe është se kjo është paketa e parë e mbështetjes për një sektor, e cila është zhvilluar në bazë të kërkesave të vetë sektorit dhe jo diktateve të qeverisë apo të një ministrie. Pikërisht, hapi i parë i zhvillimit të paketës ka qenë mbledhja e opinioneve nga vetë grupet e interesit. Ndërsa Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka drejtuar një grup të gjerë ministrish dhe institucionesh shtetërore në përgatitjen e masave dhe përgjigjeve të mundshme ligjore e procedurale për propozimet e paraqitura. Në gjithësinë e tyre masat e kësaj pakete synojnë një përmirësim të dukshëm cilësor, si nga ana e rritjes së eksporteve, duke synuar një rritje me më shumë se 80 % në eksporte, brenda tre viteve,(pra në 900 milionë euro eksporte). Janë marrë në konsideratë 46 masa e propozime, disa nga të cilat janë implementuar ndërkohë, si kalimi i VKM nr. 54, që akordon kontratën me vlerën 1 euro për impiantet e përpunimit aktiv, një masë kjo që do të kursejë mesatarisht 2,5 milionë dollarë qira për sipërmarrësit; Po ashtu ka një fokus të madh të paketës në lidhje me punësimin, me anë të një sërë masash që synojnë ta çojnë numrin e të punësuarve të deklaruar nga 28 mijë në 100 mijë për tre vjet. Fondi i punësimit për industrinë e përpunimit në fund të këtij viti do të jetë 5 milionë dollarë. Kjo paketë është vetëm fillimi i një inovacioni të sektorit të përpunimit aktiv që do të shtrihet në të gjithë ekonominë, për të siguruar atë rritje të qëndrueshme ekonomike në nivelet e 5 apo 6%. Me këtë paketë, Shqipëria vendoset zyrtarisht në hartën e prodhuesve për tregun evropian, jo vetëm si një pikë e afërt, por mbi të gjitha si një pikë e rëndësishme e hapur ,për industrinë e përpunimit aktiv.

Advertisement