Tiranë – Prokuroria kërkon largimin e tre gjyqtarëve të cështjes “Gërdeci”

Në seancë sërish mungon ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili po prezantohet nga avokati i tij, Adrian Visha. Ndërkaq, nga të pandehurit e arrestuar janë të pranishëm vetëm Sokol Gjeci, ish punonjës i MEICO-s, ndërsa tre të pandehurit e tjerë përfaqësohen nga avokatët mbrojtjës. Të pandehur që gjykohen në gjëndje të lirë janë ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu; ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha; zëvendësi Agim Lala, Shpëtim Spahiu, Zija Bahja, Ramadan Tartari, Ndue Marku, Sokol Gjeçi, Ardian Mullahi, Adriatik Mema, Shkëlzen Madani, Dashnor Çaushaj, Zenun Fero, Hysni Coçka, Hilmi Laçaj, Fari Toska, Rezart Tërshana, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fiqiret Mato, Lavdi Shatro, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi. Nga 29 të pandehur të cilët prokuroria i ka ulur në bankën e të akuzuarve si përgjegjës për shpërthimin e fabrikës së demontimin “Albademil”, vetëm 4 janë të arrestuar. Ish-drejtori i kompanisë shtetërore MEICO, Ylli Pinari, administratori i kompanisë “Alba Demil”, Mihal Delijorgji dhe ish-drejtorin teknik të fabrikës së çmontimit të municioneve, Dritan Minxolli, si dhe ish punonjësi i MEICO-s Sokol Gjeci. Seanca gjyqësore e ditës së sotme për tragjedinë e Gërdecit është hapur menjëherë me kërkesën e prokurorëve të cështjes për largimin nga gjykimi të kryetarit të Kolegjit Penal dhe 2 gjyqtarëve. Emrat konkretë të tre gjyqtarëve për të cilët është kërkuar largim janë Besnik Imeri, Evgjeni Sinoimeri dhe Irma Bala. Organi i akuzës e ka bazuar pretendimin e tij për konflikt interesi të këtyre tre gjyqtarëve, tek fakti që secili prej tyre ka lidhje miqësie dhe të afërta me disa nga të pandehurit për tragjedinë e Gërdecit. Prokurorët në argumentimin e bërë gjatë seancës deklaruan se gjyqtari i Kolegjit Penal ka lidhje me disa prej të akuzuarve, vajza e tij ka qënë avokate e një prej të akuzuarve kryesorë të cështjes, Mihal Delijorgjit, ndërsa vetë gjyqtari ka lidhje shoqërore me një nga avokatët e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili është njëkohësisht edhe i afërm i tij. Argumenti tjetër i prokurorëve është se tre gjyqtarët Besnik Imeraj, Imer Bala, Evgjeni Sinoimeri kanë dhënë një vendim kundër prokurorisë në lidhje me një nga procedurat e prokurorisë gjatë hetimit të tragjedisë së Gërdecit. Besnik Imeraj është edhe drejtuesi i trupit gjykues të kësaj cështje. Por Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë nuk e ka pranuar kërkesën e paraqitur nga tre prokurorët për largimin e tre gjyqtarëve dhe për këtë arsye, pranë Gjykatës është ngritur një grup i dytë pune, i cili do të marrë në shqyrtim këtë situatë. Tashmë ai është tërhequr për të dhënë vendimin, mbi kërkesën e prokurorëve për largimin e tre gjyqtarëve nga trajtimi i çështjes dhe më pas do të mësohet se nëse këta tre gjyqtarë do të vijojnë ende të merren me gjykimin e çështjes së Gërdecit.

Advertisement