Tiranë | Prokuroria dërgon për gjykim të akuzuarit për vjedhjen e pikturave

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë bëri të ditur se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kërkesën ndaj shtetasve Gjergji Thimio dhe Arben Spaho. Dy shtetasit janë të akuzuar për veprën penale të “Vjedhjes së veprave të artit dhe kulturës”, kryer në bashkëpunim. Në deklaratën për mediat bëhet e ditur se hetimi i prokurorisë ka nisur në bazë të materialit të referuar nga Policia e Shtetit. Gjatë hetimit ka rezultuar e provuar se dy shtetasit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë bashkëpunuar në kryerjen e veprës penale të vjedhjes së veprave të artit në sasi të mëdha. Prokuroria arriti të provojë se një pjesë e madhe e objekteve të gjendura në ambjentet që administroheshin nga shtetasit Thimio dhe Spaho, rezultojnë të vjedhura nga disa objekte fetare dhe kulti në zona të ndryshme të Shqipërisë. Ndërkohë, prokuroria e Tiranës ka veçuar çështjen dhe po vijon hetimet për të zbuluar se ku gjenden 78 ikona, të cilat kanë qenë të pajisura me pasaportë nga shtetasi Gjergji Thimio dhe nuk janë më në koleksionin e tij.

Advertisement