Kjo situatë është krijuar prej gati një jave kur Enti Rregullatorë i energjisë miratoi tarifat e reja, të cilat ishin 10% më të ulëta nga çfarë kishte kërkuar kompania. Ministri Prifti i ka kujtuar çekëve të OSSH-së, se për çdo pakënaqësi, ata mund t’i drejtohen gjykatës, por nuk mund të penalizojnë konsumatorët. “Ka hallka ankimimi në rast se kompania nuk është e kënaqur me rritjen e çmimeve, mund ti drejtohet Entit Rregullatorë, mund të ketë një ent të pavarur, i cili mund të marrë në konsideratë të dyja pretendimet e palëve, në të kundërt t’i drejtohet gjykatave. Por nuk mundet që një kompani të reagojë me inat ndaj konsumatorëve duke i prerë energjinë, pasi qeveria nuk do ta lejojë” u shpreh Prifti. Ai vijoi më tej se ditët e fundit ka marrë një sërë ankesash nga qytetarët të cilëve ju është ndërprerë energjia. Prifti i kujtoi çekëve të OSSH-së se ka një marrëveshje mes palëve që nuk do të ketë dënime kolektive. Por duket se qeveria e ka gjetur mënyrën për të frenuar veprimin hakmarrës të pronarëve çek. Prifti tha se qeveria është e gatshme të shlyejë borxhet që një pjesë e institucioneve shtetërore i kanë kompanisë private. Por kjo është vetëm çështje kohe. Gjatë një konference për shtyp ministri Prifti u ndal edhe në kompesimin e energjisë elektrike për familjet në nevojë. Secila prej tyre do të përfitojë 960 lekë në muaj nga rritja e çmimit të energjisë, para këto që të do të merren gjatë muajit janar të vitit 2010, kohë kur hyjnë në fuqi edhe tarifat e rritura. Nga kompesimi do të përfitojnë 280 mijë familje. Kategoritë që do të marrin kompesim janë: pensionistët, invalidët, buxhetorët me pagë nën 35 mijë lekë në muaj, familjet me ndihmë ekonomike etj. Fondi i vënë në dispozicion arrin në 1.7 miliard lekë.


