Presidenti i Senatit Italian, Pietro Grasso nis një vizitë zyrtare dy ditore në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar të Ambasadës italiane, gjatë kësaj vizite zyrtare, Grasso do të zhvillojë takime me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, si dhe me Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në orën 10.20 në Kryesinë e Kuvendit, Grasso do të pritet në takim nga Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe pas takimit, dy homologët do të kenë një prononcim për shtyp. Përveç takimeve zyrtare, Presidenti i Senatit Italian Pietro Grasso së bashku me Kryeministrin Rama do të çelin punimet e edicionit të parë të Javës Italiane në Shqipëri, një aktivitet tre ditor mbi mundësitë dhe potencialet e investimit të kompanive italiane në Shqipëri në disa sektorë prioritarë. Në të njëjtën ditë, Pietro Grasso, ish-prokuror antimafia, do të prezantojë në një aktivitet të organizuar nga dhe pranë Istitutit Italian të Kulturës, dhe dy prej librave të tij: “Për të mos vdekur nga mafia” i përkthyer në shqip, dhe “Lezioni di mafia”. Të martën, më 6 maj, pranë Universitetit të Tiranës Z. Grasso do të mbajë një leksion me temë “Italia dhe Shqipëria së bashku për Evropën e së ardhmes”, ndërsa në një ceremoni të veçantë pranë këtij fakulteti pritet t’i jepet dhe titulli “Honoris Causa”.