Tiranë | “5 Maji”, Rama dhe Meta homazhe në Varrezat e Dëshmorëve

Kryeministri i Vendit, Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilluan homazhe në kujtim të dëshmorëve të Kombit me rastin e 5-Majit, ditës së Dëshmorëve.

Në përfundim të ceremonisë, Kreu i Kuvendit, Ilir Meta u shpreh se 5 Maji është një ditë e cila duhet të na bashkojë dhe të na përul përpara dëshmorëve të kombit të cilët sakrifikuan jetën e tyre për t’i dhënë një të ardhme kombit tonë. Kryetari i Kuvendit kujtoi se ky 5 Maj vjen në prag të 70 vjetorit të Çlirimit të Atdheut dhe i jep një veçanti edhe më të madhe kësaj dite. “Kjo është një ditë e jashtëzakonshme, sepse është dita e Dëshmorëve të Atdheut, atyre që sakrifikuan atë çka kishin më të shtrenjtë, jetën e tyre në emër të lirisë dhe dinjitetit për të gjithë shqiptarët. Është një pjesëmarrje e veçantë dhe është në prag të 70 vjetorit të Çlirimit të Atdheut”, tha Meta. Kryeparlamentari shtoi se, përulja i shkon të gjithë dëshmorëve, por në veçanti edhe atyre që u kthyen në simbol të çlirimit të vendit. “Ne sot i përulemi me mirënjohje, Margarita Tutulanit, Qemal Stafës, Vojo Kushit, e shumë e shumë të tjerë të cilët i dhanë një të ardhme atdheut me gjakun dhe jetën e tyre”, përfundoi Meta. Të pranishëm në aktivitet veç Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, ishin dhe Ministrja e Mbrojtjes , Mimi Kodheli, Kreu i Forcave të Armatosura Shqiptare, Jeronim Baze, Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi, po ashtu edhe personalitete të huaja, si Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, apo Ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicolas Cannon. Ashtu si çdo vit, pranë memorialit “Nënë Shqipëri”, te Varrezat e Dëshmorëve zyrtarë të politikës zhvillojnë homazhe në nderim të dëshmorëve të atdheut.

Advertisement