Tiranë | Policia: Masat ndaj mjeteve 8+1 në përputhje të plotë me ligjin

Masat e marra nga strukturat e Policisë Rrugore, përfshirë dhe ato për transportin e udhëtarëve me mjetet 8+1, janë në përputhje të plotë me ligjin. Në një njoftim për shtyp strukturat e Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se në zbatim të detyrimeve ligjore, si dhe në kuadër të masave për parandalimin e aksidenteve dhe disiplinimin e trafikut në territorin e vendit, gjatë këtyre ditëve ka ushtruar kontroll lidhur me respektimin e kërkesave ligjore nga drejtuesit e automjeteve në fushën e transportit publik. Konkretisht, sqarohet se puna e punonjësve të policisë rrugore është bazuar në nenin 37 të ligjit nr.8308, datë 18.02.1998 “Për Transportet Rrugore”, ku është përcaktuar që transporti i udhëtarëve me taksi në linjë të rregullt është i ndaluar. Në këtë pikë të ligjit thuhet gjithashtu se, mjeti taksi, kur kryen shërbim jashtë territorit të rrethit ku është regjistruar, në kthim mund të marrë udhëtarë vetëm në rrethin e regjistrimit të tij. Për shkelje të kësaj dispozite, Kodi Rrugor (neni 85 pika 3) parashikon përveç masës me gjobë, tërheqje të lejes së qarkullimit dhe konfiskim të mjetit. Po ashtu në njoftim thuhet se strukturat e policisë rrugore po ushtrojnë detyrën e tyre duke u bazuar edhe në nenin 86 pika 6 të Kodit Rrugor, ku thuhet se shërbimi në linjë me një mjet që nuk është i caktuar për një shërbim të tillë, siç është rasti me mjetet 8+1, është i ndaluar. Ndërkohë, po sipas akteve ligjore në fuqi, mjetet për transport udhëtarësh me numër vendesh mbi 8+1, klasifikohen autobusë dhe leja e transportit për autobusë mund t’u lëshohet vetëm enteve publike, sipërmarrësve (shoqëritë e transportit që në aktet e themelimit, kanë objektin e veprimtarisë transportin e udhëtarëve). Këto janë shërbime të licencuara dhe shërbimet e Policisë Rrugore ushtrojnë kontroll të vazhdueshëm mbi zbatimin e kushteve të licencës.

Advertisement