Bruksel | Kumbaro takime për bashkëpunimin kulturor

Të gjitha subjektet shqiptare mund të aplikojnë në të gjitha pjesët e programit të BE-së, “Creative Europe” që synon mbështetjen e kulturës dhe sektorit kreativ. Konfirmimi është bërë gjatë takimit që Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka zhvilluar më komisioneren e BE-së për Arsimin, Kulturën, Rininë e Shumëgjuhësinë, Andrulla Vassiliou. “Komisionerja Vassiliou dhe Drejtoria e Përgjithshme e Kulturës, konfirmuan se të gjitha subjektet shqiptare mund të aplikojnë tani, për të mos humbur afatet e paracaktuara, në të gjitha pjesët e programit ‘Creative Europe’. Ne jemi angazhuar zyrtarisht për të firmosur Memorandumin e Mirëkuptimit, besoj në verën e ardhshme, çfarë do të japë garanci financiare dhe juridike”, është shprehur Kumbaro për mediat shqiptare prezente në Bruksel. Ministrja u prit edhe nga drejtori i përgjithshëm i KE-së për Kulturën, Jan Truszczynski, shefi i Njësisë për Shqipërinë, Vassilis Maragos dhe drejtorja e përgjithshme për Pronësinë Intelektuale, Kerstin Jorna. Një temë tjetër e rëndësishme e diskutimit ishte për të drejtën e autorit. Sipas Kumbaros, qeveria ka marrë angazhim të plotë për të bërë reformën e duhur ligjore dhe administrive dhe biseduam sot konkretisht për këtë. “Për të pasur asistencën e duhur ndërtuam një kalendar pune me Drejtorinë e Tregjeve ku trajtohen çështjet e copyright-it si një ndër synimet serioze dhe shumë ambicioze të Ministrisë së Kulturës”, tha Kumbaro. Sipas përfaqësuesve të institucioneve të BE-së në Bruksel, ende nuk është arritur në Shqipëri përshtatja e kuadrit ligjor me Asistencën Teknike të BE-së ndërkohë që kapacitetet administrative vlerësohen të kufizuara në këtë fushë. Gjatë vizitës dy ditore në Bruksel, krahas takimeve, Kumbaro ka qënë edhe në çeljen e ekspozitës “Allegoria”, nga piktori shqiptar, Dastid Miluka. Kjo është vizita e rradhës e Ministres Kumbaro jashtë vendit, pas asaj në Francë, në kuadër të bashkëpunimit kulturor me vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Advertisement