Zëdhënësja e PD-së Majlinda Bregu ka dalë në një deklaratë për shtyp në orët e pasdites ku u shpreh se Partia Socialiste po trillon për bllokime, pengime, ndërhyrje në procesin e numërimit të votave në Komisionin Zonal të Administrimit Zgjedhor në qarkun Fier. “Ju bëj me dije se në KZAZ-në 20 në Fier që ndodhet në shkollën “Perikli Ikonomi”, në momentin kur po mbyllej procesverbali për të nisur kutitë për numërim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, është shfaqur kandidati i PS-së Pirro Lutaj, i cili ka debatuar me përfaqësuesit dhe numëruesit e PD-së duke bllokuar dhe vonuar procesin. Deri tani këto trillime për presione, bllokime dhe ëndërra për agjentë, të cilët sipas PS-së shfaqen duke u bërë presion numëruesve në KZAZ, janë dëgjuar shpesh herë nga Partia Socialiste” tha Bregu. Ajo ftoi Ramën që të bëj publike nëse ka pamje të këtyre kërcënimeve në KZAZ, sikurse kemi bërë ne mbrëmë me KZAZ-në e Rrogozhinës, ku është shfaqur kandidati i PS-së, Andis Harasani. “Përsa i përket Kryeministrit Berisha, Rama merre me qetësi! Ky proces kërkon durim, kërkon mbi të gjitha kurajo për të pranuar atë që shqiptarët tanimë e kanë vendosur. Kryeministri Berisha është votëbesuar nga shqiptarët si kryeministri, i cili do të drejtojë Shqipërinë e standardeve evropiane dhe të paktën për mandatin e ardhshëm 4- vjeçar. Prandaj të duhet një qetësi shume e madhe që të presësh rezultatin deri në fund” tha më tej Bregu. “Unë e kuptoj ankthin e humbjes që ka mbërthyer gjithë selinë rozë. Sigurisht që ne jemi të interesuar dhe do të bëjmë ç’është e mundur për të vëzhguar deri në numërimin e votës së fundit. Kjo qeveri është përgjegjëse më shumë se për të konfirmuar mandatin e këtij koalicioni, për të ruajtur standardet e zgjedhjeve në Shqipëri, e cila është fitorja më e madhe . As një qeveri tjetër nuk ka arritur të konsolidojë standarde zgjedhore në të gjithë procesin si këtë radhë” deklaroi zëdhënësja e PD, Majlinda Bregu.