Partia Demokratike reagoi sot sërish ndaj inspektimeve të Kryeministrit Edi Rama në projektet e nisura për rrugët nga qeveria e mëparshme. “Robert Çamçakëzi u shfaq sërish në një kantier pune, të nisur në kohën kur qeveriste Partia Demokratike”, u shpreh zëdhënësja e Partisë Demokratike, Silvi Bardhi. Sipas saj, “rruga Lin-Pogradec, është një nga dhjetra e qindra projektet e nisura nga qeveria e mëparshme, të mallkuara çdo ditë nga Edi Rama kur ishte në opozitë, dhe të bllokuara sapo ai erdhi në pushtet”. “Sot, kur ka braktisur të gjitha premtimet e fushatës, kur ka dështuar të nisë qoftë edhe një projekt të ri apo të krijojë një vend të ri pune, Rama ka stisur turin e inspektimeve të punëve të nisura në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike”, tha Bardhi.