Tiranë | PD kërkon miratimin e buxhetit 2014

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi sot qeverinë për vonesa në miratimin e buxhetit 2014, të cilat sipas tij dëmtojnë sipërmarrjen e lirë dhe bizneset. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Basha tha se “qeveria nuk mund të justifikohet për vonesën e buxhetit me rotacionin e pushtetit në 23 qershor. Qeveria deri tani ka bërë shou dhe asnjë gjë tjetër”, ndërsa apeloi që të miratohet sa më shpejt ky buxhet. Sipas Bashës, vonesa për miratimin e buxhetit vjetor ka sjellë që qeverisjet vendore të miratojnë buxhetet para se të miratohet ai vjetor. “Sot është data 2 dhjetor, dhe në bazë të ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor sot duhet ta kishim të votuar buxhetin e shtetit për vitin 2014. Ligjin në fjalë rezulton i shkelur. Edhe ky standard rezulton i zhbërë nga qeveria e zhbërjeve. Me vonesat për projekt buxhetit shkeljet janë një radhë të gjatë. Parashikueshmëria është zero në çdo aspekt duke dëmtuar rëndë sipërmarrjen e lirë. Qeverisjet vendore kanë miratuar buxhetet para se të miratohet buxheti vendor. Është penguar i tërë procesi buxhetor vendor. Të gjitha njësitë vendore janë në shkelje të ligjit, jo për fajin e tyre, por për arsye se Kryeministri nuk do t’ia di për ligjin”, u shpreh kreu i PD-së, Lulzim Basha. Gjithashtu, Kreu i PD-së dënoi shfaqjen e fotografive të Enver Hoxhës gjatë një ceremonie zyrtare në ditën e Çlirimit.

Advertisement