Tiranë | PBDNJ kërkon të propozohet Fatos Nano

alt

Dule ndër të tjera kërkoi që të propozohej kandidatura e Fatos Nanos për postin e presidentit të ri të Republikës. “Të shpëtojmë procesin dhe të propozohet kandidatura e Fatos Nanos, i cili do të ishte zgjidhja optimale në situatat që po kalon vendi. Kandidatura e tij përtej frymës zyrtare të krerëve të forcave politike besojmë se ka shumë shanse, në mos zgjedhje të sigurtë. Është momenti që të kapërcehen të gjitha komplekset dhe fobitë që mund të ekzistojnë në lidershipin e Partisë Socialiste”, deklaroi Dule. Sipas kreut të PBDNJ-së, procesi po kthehet në një farsë, gjë që dëshmon dështimin e klasës politike dhe politikanëve për t’iu përgjigjur sfidave që ka vendi në kuadër të integrimit europian. “Mazhoranca sërish e dëshmoi me tërheqjen e kandidaturës së Artan Hoxhës se nuk mund ta zgjedhë presidentin e Republikës as me shumicën e thjeshtë”, tha Dule. Ai iu drejtua opozitës dhe kreut të saj Edi Rama se në momente të tilla kritike për vendin ai nuk mund t’i shmanget betejës politike, pasi është roli i parashikuar nga Kushtetuta dhe njëkohësisht kërkesë e shoqërisë.