Tiranë | Reagon “Lëvizja Nano”, kërkon mbështetje për kandidimin

alt

“Fatos Nano i bën thirrje Partisë Socialiste që së bashku me Fatos Nanon duke bashkuar traditën, historinë, vlerat më të mira të Partisë Socialiste në këto 22 vite, ta fitojmë këtë garë bashkë. Fitorja e përbashkët e sotme le të jetë parathënie e hyrjes në historinë fituese të mëtejshme për Partinë Socialiste, për të gjithë shqiptarët, për Shqipërinë. Së bashku të bëjmë fituese Shqipërinë”, thuhet në një deklaratë për shtyp të Lëvizjes “Nano për President”. Nano deklaroi se, po ndjek me vëmendje të gjithë këtë kaos total që po shkaktojnë kryetarët e partive, të cilët tashmë për shkak të llogarive e axhendave të tyre të ngushta partiake, po e kthejnë procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, në një proces të turpshëm dhe në një rrezik të madh për fatet e vendit dhe të integrimit europian. Përmes një deklarate për shtyp të Lëvizjes “Nano për President”, konsiderohet turp, gjithçka po ndodh me procesin e zgjedhjes së Presidentit. “Turp sepse ka arratisje nga serioziteti, nga përgjegjshmëria dhe nga integrimi. Turp sepse ka arratisje nga Europa, nga gara e lirë dhe e ndershme, nga konsensusi. Turp sepse ka arratisje fatale nga atdhedashuria”, thuhet në deklaratën për shtyp. “Ky është momenti, kjo është dita që përtej dështimit të derisotëm, Kryetarët e Partive, gjithësesi të ngrihen përmbi honet e llogarive të ngushta politike partiake që fundosin Shqipërinë, dhe të lartësohen me përgjegjshmëri të lartë kombëtare në nivelin e parimeve të atdhedashurisë për ta ngritur Shqipërinë në meritën e vlerën që i takon si një vend Europian”, vijon deklarata. Në këtë drejtim, Fatos Nano ripërsërit se mbetet i vetëofruar për klasën politike shqiptare dhe publikun shqiptar për të patur mundësinë për të synuar konsensusin, ose për të garuar e për ta fituar këtë garë.

Advertisement