Në fjalën e mbajtur në seancën e hapjes së sesionit të ri parlamentar, Patozi paraqiti një historik të qëndrimeve që kanë mbajtur palët politike mbi çështjen e imunitetit nga vitit 2003 e deri më sot. Sipas tij, në mënyrë të njëanshme 6 gushti u kthye në një ditë mëkati për PS-në, një faqe e zezë në historinë e saj të re. “Ne shpresojmë ende se ka një mënyrë që kjo të shlyhet, nëse votojmë bashkarisht sa më shpejt për heqjen e imunitetit. Ne jemi plotësisht të qartë se referendumi është një rrugë e mundimshme, një ide që erdhi si përgjigje e refuzimit të Edi Ramës, një mënyrë e tërthortë për të arritur një synim të madh. Por ndërkaq jemi të vendosur që të përdorim çdo mjet dhe rrugë legale për të arritur tek synimi final: Shqipëria një vend pa imunitet”, tha Patozi. Ai nënvizoi se qëndrimi i PS-së për këtë çështje nuk ka ndryshuar, edhe kur ajo ka qenë në pushtet apo në opozitë. “Ndoshta vetëm nëse PS shndërrohet në OJQ mund të bjerë dakord në kufizimin e imunitetit, sepse vetëm atëherë kjo perde që ndan zyrtarin e lartë me qytetarin e thjeshtë nuk do të jetë më privilegj i disa eksponentëve të saj”, tha ai. Ndërkohë për Patozin, imuniteti nuk është e vetmja sfidë që na pret në këtë sesion parlamentar. “Ne nuk kemi kohë për të humbur dhe do të vijojmë me reformat, për të përmbushur misionin tonë me përkushtim dhe pasion. Ne nuk jemi aq naivë sa të mendojmë se me kufizimin e imunitetit mbyllet edhe çështja e korrupsionit në Shqipëri, por jemi plotësisht të bindur se ky është një një sinjal që i bënë më të barabartë qytetarët shqiptarë para ligjit. Më e rëndësishmja, kjo u heq çdo lloj skepticizmi partnerëve tanë euroatlantikë, sepse është një sinjal që do të rindizte dritën gjysëm të shuar të integrimit të Shqipërisë”, tha Patozi. Ai akuzoi Keun e PS-së Edi Rama si armikun më të egër të kufizimit të imunitetit. “Rama të shpjegojë se në emër të kujt mbahet me pahir ky zhguall që mbron keqbërësit e politikës dhe zyrtarët e lartë që abuzojnë me pushtetin. Në këtë sallë ka shumë deputetë socialistë që kujtohen për imunitetin vetëm kur flitet për të, pasi ata nuk kanë nevojë për mbrojtje të posaçme, por ka gjithashtu deputetë që bëjnë gjithçka për tu zgjedhur vetëm për shkak të imunitetit, këta nuk duhet ta mbajnë peng PS-në. Një grusht njerëzish nuk duhet të tërheqin zvarrë Shqipërinë dhe të ardhmen e saj”, vijoi Patozi. Sipas tij, “shumicën e vendimeve të rëndësishme të opozitës nuk i marrin figurat politike të saj, por një grup i vogël, disa prej të cilëve edhe jo deputetë, që përcaktojnë edhe qëndrimet e grupit të saj parlamentar”. “PS është aset kombëtar, sepse përfaqëson një pjesë të konsiderueshme të zgjedhësve shqiptarë, ndaj dhe është më e domosdoshme se kurrë që ajo të çlirohet nga maskat, pengmarrësit dhe presioni mbytës që vjen nga pjesa më e errët e politikës”, tha Patozi. Ai shtoi se, “Rama kërkon që të vendosë pakica për anëtarët e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese apo Prokurorin e Përgjithshëm dhe këtë e quan reformë në drejtësi, e cila sipas tij duhet të votohet bashkë me heqjen e imunitetit”. “Ky është rasti unikal në botë kur një forcë politike çon në Kuvend nisma të tëra jo që ato të diskutohen dhe votohen, por pikërisht që ato të mos miratohen kurrë”, tha ai. Duke nënvizuar se maxhoranca nuk ka ndërmend të votojë këto nisma të PS-së, Patozi tha se “sigurisht, ajo do të respektojë deri në fund të drejtën e opozitës, ndaj do të zbatojë çdo procedurë për shqyrtimin e nismave të PS-së”. “Gjatë këtyre viteve nga PS është hedhur shumë baltë mbi zyrtarët e maxhorancës. Midis këtij lumi balte mund të ketë edhe disa të vërteta sepse ne nuk kemi thënë kurrë se nuk ka korrupsion, por tani çdo fjalë e opozitës në raport me aferat, sipas saj të qeverisë, është zhvlerësuar sepse PS është shndërruar në protektore zyrtare të korrupsionit”, tha Patozi. “Ne duam ta shembim murin e imunitetit dhe të marrim këtë vit statusin e kandidatit, por vetëm dëshira jonë nuk mjafton. Në këtë sallë ne jemi vetëm 74 deputetë, kurse Kushtetuta përcakton se duhet të votojnë të paktën 94 deputetë, në raste të tjera 84. Ndërkohë, kjo është opozita e vetme në botë që për inat të PD-së ka tre vjet që bllokon integrimin e vendit. Zgjedhjet janë pas 10 muajsh, zgjedhjet janë zgjidhja e vetme”, përfundoi Patozi.