Aktiviteti përmbyllës i kësaj fushate nën moton “Sot NATO, nesër BE” i cili u zhvillua në ambientet e pallatit të sportit “Asllan Rusi” kishte mbledhur me mijëra simpatizantë dhe mbështetës të kësaj force politike. Fjalën e hapjes e mbajti Kryetari i Asamblesë Kombëtare, ose siç e kanë cilësuar ndryshe, dekani i politikës shqiptare, Sabri Godo. Në fjalën e tij z. Godo pasi ka uruar për një fitore të thellë kandidatët për deputet dhe të gjithë republikanët Shqiptarë, garantoi edhe një herë se “premtimet e dhëna gjatë kësaj fushate elektorale, do të gjejnë zbatim në mandatin e dytë qeverisës. Partia Republikane, tha Godo, do të vazhdojë me këmbënguljen e saj të përhershme, ashtu sikurse ka bërë deri më sot, për të mbështetur dhe përkrahur të gjitha interesat e shqiptarëve, për një të ardhme më të mirë drejt rrugës së integrimit evropian”. Ndërkohë në fjalën e tij, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, u shpreh se “edhe tre ditë dhe Shqipëria hap një derë tjetër të madhe dhe vendos veten aty ku na ka vendosur historia, e vendos veten aty ku është dëshira dhe qëllimi i të gjithë shqiptarëve, në Bashkimin Evropia, më 28 qershor me fitoren e së djathtës, me fitoren e republikanëve, e demokratëve, me fitoren e shqiptarëve”. “Ne republikanët, vijoi Mediu, jemi pjesë e fitores, sepse besojmë te e mira morale, mirëkuptimi, besojmë në të ardhmen, besojmë se Shqipëria do të ecë përpara dhe të bëhet evropiane”. “Në vitin 2005, së bashku me Partinë Demokratike, kreun e saj z. Sali Berisha dhe të gjithë shqiptarët u bashkuam për të larguar qeverisjen socialiste dhe të gjithë së bashku luftuam e punuam pa u ndalur në asnjë çast për të vulosur përfundimisht ëndrrën e madhe të çdo shqiptari, për ta bërë vendin tonë aleate me të drejta të plota dhe të denjë të NATO-s”, u shpreh Mediu. “Për 4 vite me radhë, vijoi ai, punuam të gjithë së bashku duke besuar në vlerat dhe meritat tona, punuam për një Shqipëri të konsoliduar, punuam për një Shqipëri demokratike, punuam për të realizuar ëndrrën më të madhe të fitores. Lideri republikan Mediu, ka vijuar më tej duke shtuar se “ne jemi angazhuar për të sjell një shtet demokratik dhe ligjor, pa korrupsion, për një qeveri të fortë e cila nuk bën gjë tjetër veçse mbështet interesat e qytetarëve të saj”. Duke folur në lidhje me segmentin rrugor Durrës-Kukës, kreu republikan Mediu nënvizoi: “Sot është një ditë e madhe për të gjithë shqiptarët kudo ata janë. Sot nuk bashkohen më vetëm shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë port ë gjithë shqiptarët anembanë botës. Kjo është një ditë e rëndësishme në historinë e popullit tonë, pasi sot bashkohen shqiptarët me rrugën Durrës-Kukës, bashkohen të gjithë shqiptarët si një komb i vetëm në rrugën tonë drejt Evropës, kjo është ëndrra jonë, kjo është dëshira e fëmijëve tanë, kjo është e ardhmja jonë dhe ne do ta realizojmë këtë në mandatin e ardhshëm”, theksoi Mediu. Duke e cilësuar tepër të rëndësishëm bashkëpunimin midis PR-së dhe PD-së në 4 vitet e qeverisjes së kaluar, Mediu shtoi se republikanët duhet të ndihen krenarë, për kontributin e dhënë gjithë këto vite demokracie dhe veçanërisht këtë mandat qeverisës, si partnerë seriozë të mazhorancës së djathtë.