Fier – Lushnje – PS zhvillon takimet përmbyllëse

Në qytetin e Fierit ku ka qenë i shoqëruar nga kandidatët për deputet mes të cilëve Albert Caci, Gramoz Ruci apo Bashkim Fino, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama është ndalur në presionin që drejtues të administratës i bëjnë nënpunësve të shtetit për të votuar kundër vullnetit të tyre. “U them të gjithë mësuesve të qytetit të Fierit dhe të gjithë rrethit të Fierit më 28 qershor shkoni të gjithë pa frikë dhe votoni për Partinë Socialiste. Sepse duke votuar për Partinë Socialiste ju do ti jepni fund njëherë e mirë epokës së mësuesve e nxënësve të përdorur si kope për mitingjet e partisë në pushtet”, tha Rama. Në takimin masiv në Lushnje mes entuziazmit të banorëve të këtij qyteti Rama u shpreh se kjo nuk është beteja mes socialistëve e demokratëve, por është beteja e një Shqipërie që nuk mund të vazhdojë e gjunjëzuar nga papunësia dhe varfëria. “Kjo është betetja e familjeve që nuk kanë punë, është beteja e Shqipërisë së gjunjëzuar nga varfëria, beteja e Shqipërisë së sfilitur nga papunësia. Ne do të fitojmnë sepse Shqipëria nuk mund të humbasë”, tha Rama. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka garantuar se vota e shqiptarëve do të jetë e mbrojtur më 28 qershor dhe se fatin e kësaj beteje nuk mund ta ndryshoj dot askush. “Fati i kësaj beteje nuk ndërrohet me dhunë, nuk ndërrohet me lekë, nuk ndërrohet me vjedhje. Fati i kësaj beteje është shkruar në zemrën e të gjithë popullit tonë, ku as nuk mund të ndërrohet, as nuk mund të vidhet”, theksoi Rama.

Advertisement