Tiranë | Opozita proteston për votën e lirë

Mbrojtja e votës së lirë ishte kryefjalë e protestës së organizuar pasditen e sotme nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj opozitarë, përballë godinës së kryeministrisë. Anëtarë dhe simpatizantë të PD-së dhe partive të koalicionit opozitar, me pankarta në duar ku shkruhej “Ndal blerjes së votës”, nisën marshimin nga selia e PD-së rreth orës 14 e 10 minuta duke vazhduar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në kryeqytet. Të drejtuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha dhe anëtarë të tjerë të grupit parlamentar të PD-së, protestuesit bënë thirrje kundër blerjes së votës, kundër shkeljes së ligjit dhe arbitraritetit si dhe kundër shkatërrmit të armëve kimike të Sirisë në vendin tonë. “Nuk e zgjodhëm ne momentin për të dalë në shesh, por vetë qeveria”, u shpreh në fjalën e tij kreu i opozitës, Lulzim Basha, duke shtuar se “2000 lekëshi i turpshëm i kësaj qeverie, që bleu votën e qytetarëve të nderuar korçarë, është një provë e organizuar në detaje, e krimit të blerjes së votës, duke i shkulur përfundimisht zgjedhjet e lira dhe duke hapur periudhën e errët. Ja pra pse ky është moment i një alarmi të madh për një rrezik shumë të madh që kërcënon të ardhmen e shqiptarëve. Ne opozita jemi në këmbë të vendosur si asnjëherë tjetër për t’i thënë ndal këtij rreziku vdekjeprurës. Ne nuk kemi të drejtë ta mbajmë në zyrat tona si çështje eksluzive të opozitës, çështja e zgjedhjeve të lira është para së gjithash dhe mbi të gjitha, është çështja juaj që keni ardhur në këtë shesh, është çështja e mijëra shqiptarëve që me zemër dhe mendje janë këtu me ne. Në këtë moment kur vota e lirë është cënuar në Korçë te gjithë jemi dhe duhet të jemi opozitarë, shpëtimtarë të saj sot nesër dhe përgjithmonë”, tha Basha. Kreu i PD-së u ndal edhe tek ligji i Nëpunësit Civil, duke shtuar se “Rama dhe Meta shkelën konsensusin pasi kanë në mëndje dhe plan, të blejnë vota që të qeverisin si në xhungël”. “Ata çirreshin dhe iu ishin vjedhur votat dhe vjedhin vetë ditën për diell. Çirren për ligjin dhe pushojnë pa ligj punonjësit e administratës. Para shqiptarëve, para opozitës dhe para ndërkombëtarëve Rama dhe Meta shkelmuan konsensusin pasi kanë ndërmend vjedhjen e votës”, tha Basha. Lidhur me çështjen e armëve kimike, Basha theksoi se Kryeministri po shkon shumë larg, ndërsa bën strucin për ketë çështje. “Kjo qeveri nuk ndjen asnjë lloj detyrimi të japi llogari edhe për shkatërrimin e armëve nga Siria. Bëjnë lojën e strucit me shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë. Ky kryeministër po shkon shumë larg me zevendesimin e sundimit të ligjit me sundimin e Ramës”, tha Basha.

Advertisement