Tiranë – Olldashi, plani urbanistik i kryqytetit fle në sirtaret e bashkisë

Deklarata e Olldashit u bë ndërsa u prezantua projekti i Bankës Botërore për masterplanin e qyteteve të Beratit, Gjirokastrës, Korçës dhe Lushnjës”. Sipas Olldashit drafti i cili do t’i jepte një zhvillim të qëndrueshëm kryeqytetit, fle sirtarëve të bashkisë së Tiranës dhe prej muajsh nuk po bëhet efektiv. “Shpresoj dhe uroj që edhe Tirana të ketë një plan të ri rregullues, pasi ka muaj e muaj që fle sirtarëve dhe uroj që punonjësit e bashkisë të gjejnë kohën për ta bërë të zbatueshëm atë”, u shpreh Olldashi. Nga ana tjetër edhe shoqata e ndërtuesve i kërkon qeverisë dhe bashkive që të avancojnë në drejtim të hartimit të planeve urbanistike, pasi puna për përfundimin e tyre, në disa bashki kryesore po ecën me ritme të ulëta. Sipas ndërtuesve, në bazë edhe të Ligjit për Urbanistikën, viti 2011 duhet t’i gjejë të gjitha qytetet me plan të ri. Sekretari i Shoqatës së Ndërtuesve Arben Dervishaj thotë se shoqata është e interesuar që të gjitha qytetet të kenë një plan të ri. Madje kemi kërkuar që në ligjin e ri të Urbanistikës të vihen afate për përfundimin e planeve. “Është e papranueshme që viti 2011 të na gjejë ende pa plane, ne jemi të shqetësuar që edhe plani i Tiranës apo i Durrësit nuk ka përfunduar. Këto qytete mbajnë edhe fluksin më të lartë të ndërtimeve”, thotë Dervishaj. Sipas tij vetëm me miratimin e tyre ndërtuesit dhe shteti do të funksionojnë në një fushë me rregulla loje. Ministria e Punëve Publike, me mbështetje financiare të Bankës Botërore ka kontraktuar një kompani të huaj, e cila do të hartojë planet rregulluese të katër qyteteve, Beratit, Gjirokastrës, Lushnjës dhe Korçës.

Advertisement