Tiranë | Nis “Muaji i Europës” me aktivitetin “Të vrapojmë drejt BE-së”

alt

Kryebashkiaku Lulzim Basha e konsideroi muajin maj të rëndësishëm për Tiranën, pasi është muaji europian, i cili përkon edhe me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë muaj të Europës, sipas Bashës, do të hidhet një hap domethënës përpara si prezantimi i draftplanit urbanistik dhe përfundimi i konkurrimit për bulevardin e ri dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. “Në Tiranë presim investitorë nga e gjithë bota. Sot nis një panair teknologjik, me praninë e investitorëve të rëndësishëm që vijnë nga larg dhe kështu vazhdon ky muaj me projekte të mëdha, me shpalosjen e planit urbanistik, me zgjatimin e bulevardit të ri, që do të dyfishojë gjatësinë e këtij ekzistuesi, do të dyfishojë standartin për qytetarët dhe sfidat e zhvillimit tonë. Sot ne vrapojmë të lirë në të gjithë zonën Shengen pa viza, si qytetarë europian të barabartë me qytetarët e tjerë dhe kështu po njohim, po përjetojmë standardin europian anembanë Europës. Sot e kemi më të lehtë të kuptojmë se çfarë sfidash na presin që këtë standart europian ta bëjmë realitet të përditshëm për çdo qytetar dhe këtu duhet t’i përqëndrojmë energjitë tona pozitive, optimizmin tonë, në arritjen e standardit në shkollat tona, rrugët, cilësinë e jetës dhe në mundësitë që do t’u ofrojmë qytetarëve, të rinjve për mirëqënie, nëpërmjet punësimit, zhvillimit ekonomik”, u shpreh Basha. Dita e Europës në kryeqytet nisi të festohet me aktivitetin “Vrapo drejt Europës”, ku mori pjesë Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, Ambasadori i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi, ambasadorë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ministrja e Integrimit Majlinda Bregu dhe qytetarë të Tiranës, të cilët ndoqën garën me biçikleta në drejtim të sheshit “Nënë Tereza” dhe një garë vrapimi.

Advertisement